Alla ikën nga Kukësi

Futboll

Alla ikën nga Kukësi

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 16:58
Alla ikën nga Kukësi, shumë pranë Flamurtarit

Albi Alla e ka mbyllur përfundimisht aventurën e tij tek Kukësi. Marrëveshja e mbrojtësit me klubin verilindor skadonte në fund të përvojës europiane të bluve dhe tashmë është zyrtar divorci mes 25-vjeçarit dhe nënkampionëve të Shqipërisë.

Alla ishte mes titullarëve në sfidën e fituar 2-0 ndaj Torpedos, por që nuk mjaftoi për t’u kualifikuar. Paraqitja e pogradecarit ishte mjaft pozitive çka bëri që drejtuesit të mendonin edhe për rinovimin, sidomos pas largimit të Hoxhës, megjithatë vetë lojtari vendosi për të mos vijuar më karrierën te Kukësi edhe për shkak se gjatë këtij viti hapësirat e tij kanë qenë të reduktuara. Alla iu bashkua bluve në vitin 2016 pas një eksperience me Bylisin.

Në sezonin e tij të parë me verilindorët ai u kthye në një pikë referimi në mbrojtje së bashku me Shametin, duke qenë vendimtar në rrugëtimin e Kukësit drejt titullit kampion, madje për herë të parë mori ftesë edhe nga Kombëtarja Shqiptare, duke luajtur në miqësoren ndaj Bosnjës.

Sezonin e shkuar, edhe për shkak të problemeve fizike, nuk u shfaq në maksimumin e tij. E ardhmja e qendërmbrojtësit me shumë gjasa do të jetë te Flamurtari. Palët po bisedojnë dhe futbollisti e sheh Vlorën si një ndër opsionet më të mira për të vijuar karrierën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat