Karius përfundon te Besiktasi. Klopp: Isha gati të hiqja dorë nga Alisson…

Futboll

Karius përfundon te Besiktasi. Klopp: Isha gati të hiqja dorë nga Alisson…

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 22:03
Loris Karius

Sado që e mbështetën, pas atyre dy gafave në finalen e Champions League, për Loris Karius duket se është shënuar fundi i një makthi të gjatë. Portieri gjerman largohet nga Liverpooli, e pritet të riniset nga Turqia, ku do të aktivizohet me fanellën e Besiktasit.

Nga klubi turk i Stambollit është ofruar një kontratë prej rreth 1.5 milionë eurosh në sezon, ndërsa akordi me “të kuqtë” është arritur në formën e huazimit dyvjeçar, për shumën e dy mln eurove.

Edhe pse portieri nisi fluturimin e tij drejt Turqisë, trajneri gjerman Jurgen Klopp ka zbuluar një prapaskenë të çuditshme, aq sa të deklaronte se blerja e Alissonit nga Roma për mbi 60 mln euro mund edhe të mos realizohej.

Kjo, për shkak të kritikave të shumta e të ashpra që u hodhën në drejtim të Kariusit pas gabimeve të rënda në Kiev.

“Mënyra sesi reaguan njerëzit, negativisht padyshim, përkundrejt Lorisit pas asaj finaleje, thuajse më bindi të hiqja dorë nga një përforcim si Alisson për të vijuar të luaja me të”, thotë Klopp.

Megjithatë, ish-trajneri i Borussia Dortmundit sqaron se “duhej të tregoheshim profesionistë”.

“Detyra jonë është të kemi lojtarët më të mirë në dispozicion, në secilin pozicion në fushë. Finalja e Championsit nuk ka pasur aspak ndikim te blerja e Alissonit. Edhe nëse do të kishim fituar, ndoshta braziliani do të ishte në merkato, e kësisoj prap do ta blinim”, shpjegon ai në një intervistë për “Kicker”.

Në fund edhe një përshëndetje për Kariusin, me dashamirësi. “Ai është vetëm 25 vjeç, një moshë në të cilën portierët vetëm përmirësohen. Të gjithë numrat 1 kanë bërë, bëjnë dhe do të bëjnë gabime. Por, ndonjëherë periudha kur bëhen ato është e rëndësishme. Nëse Loris bën një gabim tani, sigurisht që nuk është një gjë e mirë. Nëse do ta bëjë pas 8 vitesh, askujt nuk do t’i interesojë. Gjithsesi, kemi qenë shumë të kënaqur me kontributin e tij”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat