Priten ndryshime në formacion e Shqipërisë

Futboll

Priten ndryshime në formacion e Shqipërisë

Më: 9 shtator 2018 Në ora: 14:47
Priten ndryshime në formacion e Shqipërisë

Kombëtarja e futbollit ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen kundër Skocisë, e vlefshme për Ligën e Kombeve, që do të luhet të hënën në Glasgou, në orën 20:45. Trajneri Christian Panucci ka zhvilluar një seancë stërvitore këtë paradite në Elbasan, para nisjes për në Skoci. Mediat janë lejuar vetëm 15 minuta të filmojnë seancën stërvitore të ekipit Kombëtar, kohë gjatë së cilës futbollistët kanë kryer vetëm disa ushtrime.

Më pas trajneri ka vijuar stërvitjen me dyer të mbyllura, ku ka dhënë këshilla dhe udhëzime për të gjithë futbollistët e ekipit kombëtar, të grumbulluar për ndeshjen e së hënës kundër Skocisë. Bashkë me grupin është bashkuar rishtaz dhe mesfushori Ergys Kaçe, i cili vjen në Kombëtare pas largimit të parakohshëm drejtë Skocisë të Eros Grezdës. Por Kaçe mund të jetë grumbulluar edhe për arsye taktike, pasi si mesfushor qëndre, ai mund të përdoret për ndryshimin e modulit të lojës nga trajneri Panucci.

Pas ndeshjes me Izraelin, trajneri duhet të ketë qartësuar edhe formacionin titullar për sfidën ndaj Skocisë, ku pritet të ketë pak ndryshime, të cilat mund të ndodhin vetëm në rast të ndryshimit të modulit të lojës. Në portë nuk ka dyshim që Thomas Strakosha të jetë titullar edhe në këtë ndeshje, pas paraqitjes së shkëlqyer me Izraelin.

Mbrojtja po ashtu pritet të jetë e rikonfirmuar me Binakun në krahun e majtë, Veselin dhe Gjimshitin në qendër dhe Elseid Hysaj në krahun e djathtë. Por mund të ketë edhe ndryshim në rast se Veseli nuk do të jetë gati, për shkak të një lëndimi që pati gjatë ndeshjes me Izraelin. Për këtë arsye Herdi Prenga mund ta nis nga fillimi. Në mesfushë Xhaka dhe Basha pritet gjithashtu ta nisin titullar pas paraqitjes së mirë ndaj Izraelit, ndërkohë që Memushaj mund të jetë në diskutim pas grumbullimit e Kaçes.

Krahët pritet të jenë sërish në pronësi të Gavazajt dhe Hykës, ky i fundit pritet të jetë sërish kapiten. Sulmi mund të jetë dilema e vetme e trajnerit Christian Panucci, pasi mund të ketë një rrotacion midis Gurit dhe Balajt për çështjen e titullarit. Gjithësesi, e ritheksojmë, se formacioni pritet të vendoset në varësi të modulit të lojës, pasi Skocia është shumë ndryshe nga Izraeli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat