Prishtina dhe Gjilani mbeten të pamposhtur

Futboll

Prishtina dhe Gjilani mbeten të pamposhtur

Nga: Kemajl Goca Më: 11 shtator 2018 Në ora: 17:45
Pamje nga një ndeshje

Prishtina dhe Gjilani vazhdojnë pa humbje në elitën e futbollit të Kosovës. Klubi bardhëkaltër barazoi me rezultat 1:1 në Therandë në përballje me Ballkanin, ndërsa Gjilani doli i pamposhtur nga stadiumi “Bajram Aliu” në Skenderaj, duke luajtur 0:0 me Drenicën, në ndeshjen e javës së katërt. Prishtina dhe Gjilani në tri takimet e para kanë nga dy fitore e një barazim, duke vazhduar serinë e mirë, por e kanë një ndeshje me pak, pasi që sfida mes tyre e javës së parë qe shtyrë. Në një atmosferë të mirë në Therandë, Ballkani ia ndërpreu zinxhirin e fitoreve Prishtinës.

Trajneri i ri i Ballkanit, Sami Sermaxhaj, debutoi me barazim kundër Prishtinës së favorizuar. Te dy golat u shënuan në periudhën e dytë të lojës.

Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 53-të me golin e shënuar nga Gauthier Mankenda. Pas këtij goli të prishtinasve ishin vendasit që u treguan më këmbëngulës për të shënuar dhe pas disa rasteve arritën ta barazojnë rezultatin në minutën e 70-të, me golin e Blend Baftiut. Një pikë e madhe për Ballkanin, për faktin se ndërpreu serinë e humbjeve dhe shpreson se në javën në vazhdim do të kthehet në rrugë të fitoreve. Prishtina është në vend të dytë me 7 pikë, kurse Ballkani i shtati me 4 sosh.

Gjilani i gëzohet pikës në Skenderaj dhe aktualisht mban pozitën e tretë me 7 pikë, dy më shumë se Drenica në vend të gjashtë.  Në javën e pestë Prishtina pret Ferizajn, kurse Gjilani ndeshet me Ballkanin dhe Drenica i shkon Trepçës '89.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat