Shkëndija rikthehet të luajë në start të Kupës së Maqedonisë

Futboll

Shkëndija rikthehet të luajë në start të Kupës së Maqedonisë

Më: 11 shtator 2018 Në ora: 19:17
Samir Fazli

Shkëndija nga Tetova  të mërkurën në orën 15:30 në Gjevgjeli fillojnë mbrojtjen e titullit të Kupës së Maqedonisë, kur në 1/16 e finales përballen me anëtarin e Ligës së Dytë, Kozhufin. Shkëndija rikthehet të luajë në start të Kupës së Maqedonisë, pas 23 majit kur në Strumicë mundi Pelisterin për të fituar trofeun e dytë në këtë garë. Kuqezinjtë tre edicionet e fundit kanë luajtur në finale, në dy prej të cilave kanë shënuar fitore dhe tashme shikojnë përpara për të nisur udhëtimin drejt finales së katërt të njëpasnjëshme.

Kundërshtari i parë në edicionin e ri të Kupës është Kozhufi nga Gjevgjelia, ndaj të cilëve ekipi ynë u kthehet garave pas pauzës ndërkombëtare. Kjo ndeshje dy herë është shtyrë shkaku i angazhimeve të Shkëndijës, fillimisht termini i parë ishte 22 gushti kur kuqezinjtë luanin në eliminatoret e Champions League, ndërsa më pas më 5 shtator u kërkua prolongimi i dytë shkaku i angazhimeve të gjashtë lojtarëve të Shkëndijës në ekipet përfaqësuese të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Kuqezinjtë ngadalë kompletohen në seancat stërvitore, pasi javën e shkuar ishin të përgjysmuar me mungesën e gjashtë reprezentuesve (Musliu dhe Bejtullai janë grumbulluar me Maqedoninë, Shefiti dhe Zjenullai me Shqipërinë U21, Leard Sadriu me Kosovën U21 dhe Ensar Luma me Maqedoninë U19) dhe disa lojtarëve tjerë që ankoheshin në lëndime më të lehta. Tashmë në skuadër janë kthyer Egzon Bejtullai dhe Visar Musliu, ndërsa me intensitet të plotë kanë punuar Armend Alimi, Gledi Mici dhe Ennur Totre që javën e shkuar patën pushim të shtuar shkaku i shqetësimeve me lëndime.

Me ekipin ka nisur të punojë përforcimi i fundit Samir Fazli, i cili ndërkohë vazhdon të presë kompletimin e dokumentacionit për të fituar të drejtë loje me kuqezinjtë. Ndërkohë Mevlan Murati vazhdon të ankohet në lëndim të natyrës më të lehtë dhe stafi teknik duke dashur të shmangë çdo rrezik e len atë jashta kombinimit për sfidën e nesërme. Trajneri Osmani nuk do të mund të llogarisë as në shërbimet e Arbin Zejnullait dhe Shefit Shefitit, të cilët janë të grumbulluar me Shqipërinë U21 në miqësoren e sotme me Italinë U21 në Kaljari.

Pas paraqitjes së suksesshme për të tretin vit me rradhë në Kupat e Europës, kuqezinjtë tashmë gjithë vëmendjen e kthejnë në skenën vendore. Në raport me ndeshjet ndërkombëtare dhe ato në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, Kozhufi do të jetë rivali më modest në këtë periudhë. Skuadër që garon në Ligën e Dytë – Lindje dhe pas tre xhirove mban vendin e katërt me pesë pikë të tubuara (dy barazime dhe një fitore). Ashti si gjithë ekipet tjera, Shkëndija shikon me respekt maksimal skuadrën nga Gjevgjelia dhe kualifikimi në fazën e ardshme do të kërkohet me një qasje maksimale gjatë gjithë 90-të minutave.

Përballja e Kupës së Maqedonisë ndërmjet Kozhufit dhe Shkëndijës luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Gjevgjeli, me fillim në orën 15:30.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat