Respekt për kundërshtarin, por më shumë respekt për veten. Armando Cungu vijon të përforcojë me fjalët e tij mendësinë që kërkon të injektojë sa më tepër të jetë e mundur tek skuadra. Kukësi do të kërkojë fitoren në çdo takim dhe me të njëjtin objektiv do të zbresë në fushë edhe përballë Teutës.
E respektojmë kundërshtarin por nuk i druhemi. Ka ndryshuar për mirë në këtë sezon, është ekip i mirorganizuar. Por duhet të respektojmë më shumë veten se kundërshtarin, pasi Kukësi ka synimet e veta dhe gjithmonë luan për fitore.
Reginaldo dhe Ylli Shameti janë në dyshim serioz për këtë takim, madje mungesa e kapitenit është thuajse e sigurt. Pavarësisht se kjo situatë nuk është aspak në favor, për trajnerin shkodran rëndësi ka grupi dhe jo individi.
“Reginaldo është shumë i rëndësishëm, por në mentalitetin tim ekipi nuk përbëhet nga një individ. Unë dua më shumë vlerat e grupit dhe do kenë mundësi lojtarët e tjerë për të shpalosur atë që dinë të bëjnë. Ekipi ka ndryshuar shumë për mirë që kur erdha unë. Në ndeshjen ndaj Valetës e tani mbrapa ekipi ka idenë e vet të lojës, por ky nuk është maksimumi i Kukësit. Jam i kënaqur me punën dhe besoj se do të vijnë rezultatet”.
Kukësi në epokën e re është larguar shpeshherë më festë nga “Niko Dovana”, por për trajnerin e bluve seria pozitive e rezultateve kundër Teutës nuk ka asnjë vlerë nëse skuadra nuk shfaqet në maksimumin e mundshëm.
“Teuta ka pika të forta dhe të dobëta. Ua kam treguar lojtarëve se cilat janë të dobëtat dhe do të godasin aty ku u kam thënë. Kukësi ka luajtur më mirë se Laçi e Flamurtari, por jemi dënuar nga dhuratat tona e jo për meritë të kundërshtarit.”
Duelin ndaj “Djemve të Detit” e vlerëson tej mase edhe Besar Musolli, megjithatë barazimi është një fjalë që nuk përfshihet fare në diskutim, do të synohen vetëm 3 pikët.