Për Partizanin ishte dështak, mesfushori bën “ligjin” në kampionatin amerikano-jugor

Futboll

Për Partizanin ishte dështak, mesfushori bën “ligjin” në kampionatin amerikano-jugor

Më: 16 shtator 2018 Në ora: 20:23
Carlos Robles Rocha

Në verën e vitit 2015 vinte te skuadra e Partizanit një kolumbian, Carlos Robles Rocha. Mesfushori vinte nga kampionati kolumbian, futbolli i këtij vendi dhe ai amerikano-jugor janë vite drite larg nesh. Mjafton të kujtojmë afrimet e brazilianëve me tonelata në Superiores dhe protagonizmin që kanë patur. Lojtari u prit me skepticizëm që në momentin e parë që erdhi.

Të dhënat i kishte të mira, pasi kishte një fizik atletik, teknikisht ishte mirë dhe kishte një gjuajtje potente. Asokohe, Partizani kishte një mesfushë të përbërë nga Batha, Felipe Gomes, Daja dhe Trashi. Lojtari kolumbian kishte raste që nuk preferohej as në stol nga stafi teknik. Përfundimisht, Partizani rezultoi një aventurë e dështuar për të, pasi luajti vetëm 7 ndeshje si “dem”, 5 në kampionat dhe 2 në Kupën e Shqipërisë.

Rocha erdhi nga elita e futbollit kolumbian dhe u rikthye sërish atje. Luajti dy sezone me Atlético Huila ku ishte titullar absolut. Ekipi i gjysmës së dytë të tabelës në Kolumbi, por 26-vjeçari ra në pah për cilësitë e tij të mira. Ai fitoi vëmendjen e Deportes Tolima, skuadra kryesuese e kampionatit kolumbian. Rocha është sërish titullar dhe po lufton për fitimin e kampionatit. Nëse rikthehen sërish në kohë a do ta nxirrnin të pavlefshëm drejtuesit e “demave” në më pak se 6 muaj me klubin? Ah, desh harruam, sot vlen 500 mijë euro!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat