Rasti “Luftëtari”

Futboll

Rasti “Luftëtari”

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 15:54
Rasti “Luftëtari”

Katër javë dhe 0 pikë në renditje. Luftëtarit i mjaftuan vetëm pak muaj për të prekur fundin. Një kalim i shpejtë nga parajsa në ferr për skuadrën që për dy vjet kishte magjepsur Shqipërinë me futbollin e saj. Fillimisht, shkarkimi i trajnerit Lika, që u ktheu identititetin gjirokastritëve, duke e bërë sërish skuadrën dëfryese pas fillimit të vështirë të sezonit të kaluar, më pas emërimi në stol i një trajneri pa shumë përvojë, eliminimi i turpshëm në Europë, shoqëruar dhe me një njollë jo të vogël, dhe tashmë “rrënimi” në Superiore, ku Luftëtari nuk arrin dot të marrë pikë.

Skuadrës i mungon boshti, i mungojnë idetë, i mungojnë dhe “yjet” e vitit të kaluar, por, gjithsesi, kjo nuk mund të shërbejë ende si një justifikim, pasi përforcime ka kryer, për më tepër që pa Abazajn dhe Bregun ndoshta mund të mos arrish të njëjtin nivel si vjet, por zero pikë janë asgjë për të patur qoftë dhe një alibi.

Në katër javë Luftëtari është shndërruar në ekipin që ka pësuar më tepër gola, në ekipin që ka shprehur më pak qëndrueshmëri në lojë dhe mbi të gjitha në kandidatin numër 1 për t’u rrëzuar një kategori më poshtë, duke treguar se gjithçka e mirë që ndërtohet me aq mundim, mjafton shumë pak për ta shkatërruar.

Duket si bluzinjtë kanë marrë rrugën për në ferr pas dy vitesh në parajsë, dhe duhet një kthesë e fortë për të ndryshuar drejtim, e për të kuptuar se kjo e zgjedhura deri tani është rruga e gabuar dhe se Luftëtari nga ekipi që merrte pikë me të gjithë po shndërrohet në ekipin ndaj të cilit, të gjithë marrin pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat