Gjermania e përkrah në mënyra të ndryshme futbollin e Kosovës

Futboll

Gjermania e përkrah në mënyra të ndryshme futbollin e Kosovës

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 17:53
Gjermania e përkrah në mënyra të ndryshme futbollin e Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur sot me kursin e trajnerëve për Licencën B të UEFA-s, që mbahet për herë të parë nën ombrellën e saj. Në hapje të këtij kursi, i cili po mbahet në resortin Onix Spa në Banjë të Pejës, morën pjesë anëtari i KE të FFK-së, Bakir Burri, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, Anna Stege nga ambasada gjermane, Horst Kriete ekspert nga federata gjermane, drejtori teknik i FFK-së, Mihael Nees. Në fazën e parë dhjetëditore pjesëmarrësit do t’i ndjekin ligjëratat dhe punën praktike me ekspertë të këtij profesioni, derisa në nëntor do të mbahet edhe faza e dytë ku trajnerët kandidatë do t’i nënshtrohen edhe provimeve. Në hapje të këtij kursi sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, theksoi se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për futbollin e Kosovës.

“Kjo ditë është shumë e veçantë, pasi është një rrugë e gjatë që kemi kaluar për të arritur deri këtu dhe pa dyshim është një prej hapave më të rëndësishëm në sistemin e edukimit dhe licencimit, sepse ju jeni gjenerata e parë që do të vijoni kursin për Licencën B UEFA. Do të njiheni gjithmonë si gjenerata e parë që e ka marrë Licencën B nga FFK-ja. Shpresoj dhe uroj që të jetë një kurs sa më i suksesshëm. Duke e ditur se e keni një bazë të fortë të njohurive nga kursi i Licencës C jam i bindur se do të kaloni me sukses edhe këtë kurs”, ka theksuar Salihu.
Ndërkaq, të pranishmit i ka përshëndetur edhe anëtari i KE të FFK-së, Bakir Burri, i cili ka theksuar se për FFK-në është shumë me rëndësi kjo fazë e edukimit të trajnerëve, pasi deri më tash ka pasur mungesë të trajnerëve me licenca të UEFA-s. Sipas tij përgatitja sa më e mirë e trajnerëve është tejet e rëndësishme, ngase ndikon direkt në punën me gjenerata të reja.
Në emër të ambasadës gjermane të pranishmit i ka përshëndetur, Anna Stege, e cila po ashtu e ka quajtur këtë si një ngjarje të rëndësishme për historinë e futbollit kosovar, duke pasur parasysh se një kurs i tillë mbahet për herë të parë nën organizim të FFK-së. “Ne jemi të lumtur që shohim se sa shumë ka përparuar futbolli i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sporti është një mënyrë shumë e veçantë që me vendos një shtet në hartën ndërkombëtare, prandaj mendoj se futbolli i Kosovës është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim. Pjesëmarrja e juaj në këtë kurs të Licencës B është një mundësi ma shumë që ta profesionalizoni edhe më shumë futbollin e Kosovës. Gjermania e përkrah në mënyra të ndryshme futbollin e Kosovës dhe një nga këto është edhe ardhja e Michael Nees si drejtor teknik dhe ne jemi shumë të kënaqur me punën e tij”, ka theksuar Stege. Të pranishmit i ka përshëndetur eksperti i DFB-së, Horst Krieste, i cili është shprehur i lumtur që sërish është përzgjedhur nga FFK si ligjërues për Licencën B dhe shprehu besimin e tij se edhe ky kurs do të jetë i suksesshëm. Punë të suksesshme të gjithë pjesëmarrësve në kurs iu dëshirojë edhe drejtori teknik, Michael Nees, i cili u shpreh i lumtur që pjesë e këtij edukimi është edhe një vajzë, pasi sipas tij zhvillimi i futbollit të femrave është ndër prioritetet e FFK-së. Ndërkohë, ligjërues i këtij kursi do të jetë edhe përfaqësuesi i UEFA-s, Dany Ryser, i cili njëherësh edhe do ta vëzhgojë punën që do të bëhet në këtë kurs.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat