Shkëndija me disa mungesa kundër Pobedës

Futboll

Shkëndija me disa mungesa kundër Pobedës

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 16:58
Mevlan Murati

Vazhdon seria e ngjeshur e Shkëndijes nga Tetova, të cilët të mërkurën (nesër) kundër Pobedës në Tetovë zhvillojnë ndeshjen e pestë në harkun kohor prej dy javëve. Takimi kundër ekipit nga Prilepi nis në orën 15:30, në kuadër të Superligës së Maqedonisë në futboll. Mevlan Murati më në fund është i gatshëm për lojë, pasi lë pas problemet me lëndimin e muskujve të barkut. Mbrojtësi i djathtë ka punuar me intensitet të plotë seancën stërvitore të ditës së martë dhe është përfshirë në listën e lojtarëve të grumbulluarve, bëhet e ditur nga Shkëndija.

Ndërkohë jashtë mbeten Remzifaik Selmani për shkak të pezullimit (karton i kuq kundër Sileksit) dhe Izair Emini për arsye dëmtimi. Lëndimi në takimin e 1/16 së finales së Kupës dy javë më parë me Kozhufin e Gjevgjelisë vazhdon të shqetësojë Eminin, i cili edhe pse ndërkohë u përfshi në tre përballje gjithsesi nuk duket i qetë. Kundër Sileksit u inkuadrua në lojë në fund të ndeshjes, por kjo ka mjaftuar të mbingarkohet muskuli i lënduar duke e nxjerrë nga kombinimi për sfidën e radhës.

Pobeda e Prilepit vjen në Tetovë pasi të dielën u mund si vendas (ndeshjet i luan në Manastir) me rezultat 4:2 nga  Akademia Pandevi. Me 8 pikë mbajnë pozitën e pestë në renditje pas gjashtë xhirove gjatë të cilave kanë koleksionuar dy fitore, dy barazime dhe dy disfata. Edhe pse dy vitet e fundit luftojnë për mbijetesë dhe ndërkohë Shkëndija luftonte për tituj, ekipi nga Prilepi është dëshmuar si kundërshtar i papërshtatshëm për kuqezinjtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat