Panucci në rolin e viktimës

Futboll

Panucci në rolin e viktimës

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 16:53
Panucci

Të viktimizohesh është vetëmbrojtje më e fortë dhe se armët që mund të përdorësh. Oratoria, akuzat boshe dhe sidomos krijimi i personazheve që nuk kanë ekzistuar dhe nuk do të ekzistojnë janë pjesë e komunikimit. Si mund të largosh dhimbjet nga një pjesë e trupit? Dikur, kinezët e lashtë thoshin se mënyra më e mirë është të krijosh një vatër tjetër plage, kështu që fokusi qendror do të drejtohet aty. Truri është ai që dërgon sinjalet, ndaj dhe një dhimbje e re heq një të vjetër.

Dikur e bënte De Biasi, tani është radha e Christian Panucci-t… Konferencat për shtyp në kombëtaren shqiptare të futbollit, sa herë që ka grumbullime, kanë gjithmonë një rebus që nuk zgjidhet. Duhet një pikë referimi, diçka për t’u diskutuar. Shpjegohen shumë terma, por në fund është një kaos oratorie që mbyllet me një zero absolute.

Rasti më i fundit ishte ai i ditës së diel. Teksa kampionati shqiptar luhej, në Durrës, organizohej një konferencë për shtyp në prag të grumbullimit kuqezi.

U desh shumë pak që Christian Panucci të kalonte nga versioni “soft”, pra i butë, te ai “hard”, pra i fortë. Një detonator, një pyetje, apo një ngacmim.

“Një njeri i jashtëm që punon mbi futbollistët dhe që është i aftë në këtë gjë, nxjerr në qarkullim lajme të tilla sikur ata nuk janë të kënaqur me mua. i referohem gjithçkaje që është organizuar pas Skocisë. Nuk jam budalla. i telefonon Strakoshës pse nuk luan Berisha, ndërsa më pas i telefonon Berishës pse nuk luan Strakosha”.

E gjithë esenca e konferencës, ajo që ka bërë bujë mediatike ishte kjo. Të tjerat kanë avulluar. E  kujt i intereson që trajneri tha “disa lojtarë duan grushte”. Kujt i intereson që Abazaj u trajtua si leckë. Kujt i intereson që tha se unë nuk rri për para te Shqipëria, por sepse “e dua këtë kombëtare”. Aq më tepër askujt nuk i intereson kur tha se e vetmja kombëtare që ka lojtarë që nuk aktivizohen në klube jemi ne… Rëndësi ka komplotizmi, teoritë e konspiracionit, shigjetimet, apo edhe rrymat e nëndheshme që punojnë për t’i prishur punë Panucci-t.

Trajneri thekson dhe se nuk është budalla, kupton çdo gjë. Shyqyr që na e tha se ndryshe nuk e dimë se si do t’ia bënim. Ndoshta, aty ku ka qenë më parë, në konferenca shtrohej banketi, konsumohej haviar dhe ngrihej dolli me gota shampanje…

Ndoshta, në vendet e tjera ku ka qenë, në mëngjes i vinte gazeta  bashkë me kafen dhe kamerieri ta lexonte një artikull të bukur ndërsa ai e dëgjonte.

Ndoshta, në vendet e tjera Panuçi e merrte rrogën edhe paradhënie.

Këtu, duhet krijuar armiku! Po, po, duhet krijuar një kundërshtar që nuk ka emër, nuk ka fytyrë, por vetëm sa fut trazira në kombëtare. A thua se ndikimi i këtij x apo y personi çon Hysajn që të mos japë një krosim të denjë prej të paktën 1 viti te kombëtarja.

A thua se çon që mesfushorët tanë të shkërmoqen fizikisht nga kundërshtari sa herë tërhiqemi. A thua se çon që lojtarët kyç të bëjnë sikur janë dëmtuar dhe të mos vijnë te Shqipëria. A thua se ai x apo y ndikon edhe te fakti që 80% nuk aktivizohen me klubet e tyre sepse thjesht janë lojtarë normalë ose, më keq akoma, nën normalen. Panuçi vetëmbrohet, mbron punën e tij dhe nuk tërhiqet.

Problemi jemi ne! Ne, që i japim rëndësi historisë komplotiste. Presidenti i federatës që reagon dhe i jep të drejtë se ka organizime të orkestruara, apo edhe vijat editorialiste për të zbuluar gjilpërën në kashtë.

Mister Panucci, kur të vijë dita që do të përshëndesësh – urojmë pasi të na kesh çuar edhe ti në Europian dhe të kesh bërë një punë të mirë – do të kuptosh vërtet se ndaj teje kurrsesi nuk pati komplot, por thjesht disa janë mësuar të mos i shkelin në kallo, ndryshe përdorin të gjithë fuqinë që kanë në dispozicion…

Dhe, kujdes, sepse nëse largohesh nga Shqipëria ku je viktimizuar, mund edhe të qëndrosh pushim disa kohë. Sepse, dramat dhe psikoanalizat, diku tjetër, as nuk i marrin parasysh fare..

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat