Shosholli: Ta rifreskojmë me diçka fazën e sulmit të Kosovës

Futboll

Shosholli: Ta rifreskojmë me diçka fazën e sulmit të Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 9 tetor 2018 Në ora: 18:40
Ajet Shosholli

Kombëtarja e Kosovës është para sfidave të rëndësishme në Ligën e Kombeve në Divizionin D, në futboll. Të enjten e 11 tetorit (20.45) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, do të ndeshen me Maltën, në kuadër të xhiros së tretë të grupit 3, ndërsa të dielën (me 14 tetor, ora 18.00) do të luajnë në konak të Ishujve Faroe.

Kosova deri me tash ka një ecuri për merak, një barazim (0:0) me Azerbajxhanin në Baku dhe një fitore me 2:0 në Prishtinë kundër Ishujve Faroe, duke udhëhequr edhe grupin me 4 pikë. Selektori i Kosovës, Bernard Challandes, prej se ka marrë timonin e kombëtares, nuk ka asnjë humbje, madje nuk ka pësuar asnjë gol. Krahas dy ndeshjeve në Ligën e Kombeve, në miqësore ka fituar me 1:0 ndaj Madagaskarit, 2:0 kundër Burkina Fasos, me 3:0 përballë Shqipërisë.

Ish selektori i kombëtares së Kosovës, Ajet Shosholli, njëherësh trajner i mirënjohur, mendon se djelmoshat tanë do të fitojnë kundër Maltës dhe do të nxjerrin rezultat të mirë nga Ishujt Faroe. “Kemi startuar shumë mirë në këto kualifikime, hiq ato ndeshje miqësore, që i kemi të gjitha fitore, edhe këtë ndeshje duhet të fitojë me Maltën, të cilën nuk duhet me marrë ndeshje të lehtë,  ndërsa me Ishujt Faroe mendoj së paku nuk do të humbim. Besoj se këto kualifikime do t’i përfundojmë në vendin e parë dhe do të kishte qenë reale, duke u bazuar me formën e djelmoshave tanë. Në këto ndeshje përfshirë edhe miqësoret nuk kemi pranuar gola, shpresoj se do të vazhdojmë me trendin e fitoreve dhe besoj se do të jemi të parët dhe e meritojmë”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Shosholli.  

“Bota sot”: Përparësitë e Kosovës?

Ajet Shosholli: Përparësi tona, pikësëpari është stadiumi “Fadil Vokrri”, domethënë jemi nikoqirë, do të luajmë para 12 mijë e më tepër shikuesve, një stadium që do të jetë përplot i mbushur. Për djelmoshat tanë është motiv shumë i madh dhe besoj se do të vazhdojnë me këtë trend të fitoreve, duke u bazuar me cilësinë që kanë posaçërisht me kthimin e Valon Berishës, për ekipin do të thotë shumë.

“Bota sot”: A shpresoni se mund t’i marrim 6 pikë apo eventualisht edhe katër?

Ajet Shosholli: Mendoj se idealja kishte me qenë 6 por edhe me 4 pikë duhet të jemi të kënaqur, duke u bazuar në rezultatet e të tjerëve dhe besoj se do të jemi të parët në grup.  

“Bota sot”: Ka çalime në repartet të Kombëtares?

Ajet Shosholli: Mendoj që reparti i mbrojtjes është riparuar, për të gjitha këto ndeshje që kemi zhvilluar edhe nuk kemi pranuar asnjë gol. Në fazën e sulmit duhet ta rifreskojmë me diçka, edhe në mesfushë na mungon një ‘playmaker’ i vërtet, që e organizon lojën, me pasime të sakta për sulmuesit, ashtu që të përgatis raste për gol. Mendoj se i mungon një ‘playmaker’ i vërtet për të zgjidhur situatat, por besoj se selektori Challandes do të gjej atë.

“Bota sot”: Ndeshjet dhe organizimi në stadiumin “Fadil Vokrri”, a janë sinjale për UEFA-n e FIFA-n që u dashtë më herët ta pranojnë Kosovën në shtëpitë e tyre?

Ajet Shosholli:  Mendoj se po dhe sa kemi informata pas ndeshjes me Ishujt Faroe, zyrtarët e UEFA-s janë të kënaqur me ambientin dhe organizimin, hiq ato petarda, ato ndodhin në çdo stadium të Evropës. Mendoj se këtë herë në takim me Maltën do të dalin edhe me të kënaqur, po ashtu do të binden se janë vonuar me pranimin e Kosovës në UEFA e FIFA. Sepse në çdo aspekt i plotësojmë kushtet dhe kemi treguar kulturë sportive, si dhe ndeshje cilësore, ta them kushtimisht, është edhe në interes të UEFA-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat