Revoltohet Halili - Bota Sot
Revoltohet Halili

Futboll

E hënë, 22 tetor 2018

Revoltohet Halili

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 13:54
Halili dhe Ze Maria

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, i pranishëm në  konferencën për shtyp, ka folur me tone të larta, teksa u zyrtarizua largimi i Ze Marias nga stoli.

“Kam vlerësuar shumë përpjekjet e vazhdueshme të Ze Marisë për të çuar skuadrën përpara. Dikush ka thënë që klubi nuk dëshironte ta prishte marrëveshjen, është e vërtetë. Mund ta kishim larguar trajnerin që para 10 ditësh, por pritëm, ndërsa tani jemi të detyruar të nisim gjithçka nga e para, duke marrë përsipër shumë siklete. Për sa i përket anës financiare, raporti ka qenë shumë i qartë, gjithçka është mbyllur për 5 minuta, diçka që nuk do e bënte askush veç Ze Marisë.

Së shpejti do të publikohen edhe dokumentet, që të shihni që nuk janë vetëm fjalë, por gjithçka ka qenë transparente dhe e ndershme, me marrëveshje miqësore, ndryshe nga çka ndodhur me të tjerë në të shkuarën, me persona që kanë përfunduar gjykatave. E falënderoj Ze Marinë, ka një emër të madh dhe jam i bindur që do ecë përpara në karrierë. Jam treguar shumë i kujdesshëm me të, sepse është një emër i madh në botë.

Problemet? Ka pasur, si në çdo shtëpi, por kanë qenë të vogla dhe kjo ka rëndësi. Askush nuk ka dashur ta dëmtojë skuadrën, të gjithë kemi punuar për të mirën e saj.

Merkato dhe cilësia e ekipit? Nuk jam specialist, por duke qenë kaq kohë pranë futbollit dhe ekipit, mund të them që skuadra ka lojtarë cilësorë. Ndoshta na duhej një qendërsulmues, që nuk e gjetëm dot, e pranoj, sepse nuk e kemi. Pjesa tjetër, them se kemi ndër lojtarët më të mirë të kampionatit.

Kemi biseduar shpesh me lojtarët, u kemi bërë të qartë çfarë presim prej tyre, por faji për rezultatet e dobëta nisin nga unë e deri tek punëtori i fushës, nuk ndalet te stafi apo skuadra. Tirana më ka lodhur shumë, por nuk kam në plan të dorëzohem. Do të vijoj të punoj, duke i qëndruar pranë skuadrës.

Trajneri i ri? Do të flasim nesër. Jemi në hapat e fundit, vazhdojnë kontaktet, besoj se nesër do e shihni në fushë. Do të jetë trajner shqiptar.

Largimet e shpeshta të trajnerëve? Presioni është shumë i madh, kemi një tifozeri mjaft kërkuese. Ua them të gjithëve, nuk ka tifozeri si e jona në Shqipëri, është e mrekullueshme dhe e panumërt. Jam treguar shumë i kujdesshëm në këtë drejtim, tifozët duan rezultate dhe pa to nuk ecet përpara.

Është thënë që am larguar 7 trajnerët, por nën drejtimin tim nuk janë larguar kaq shumë. Vetëm rezultatet i largojnë trajnerët. Siç e ka thënë edhe Florian Riza, presioni te Tirana është i madh, ndaj largohen edhe trajnerët.

Mund t’i pyesni Josën, Dajën e Ze Marinë, a kam ndërhyrë ndonjëherë në punët e tyre? Deri tani nuk kam ndërhyrë kurrë, por tani e tutje do ta bëj. Nuk do të lejoj që formacionin ta bëjnë gazetarët, siç ka ndodhur në të shkuarën, kur trajnerët kanë ndërtuar marrëdhënie të dyshimta me disa gazetarë. Do të kërkoj llogari për gjithçka, pa ndërhyrë te formacioni. Në Shqipëri ka shumë llafe, në Procesin Sportiv dëgjoj të thuhet “pse nuk e ngre zërin klubi Tirana?”.

Atëherë, po u them që me ngritje zëri nuk zgjidhet gjithçka, nëse unë ngre zërin nuk do të thotë që arrijmë rezultate. Ne nuk flasim, rrimë urtë dhe nuk ankohemi për arbitrat, por duket se duhet vepruar ndryshe. Për disa klube agresive me të gjithë edhe gazetarët kanë frikë, ndërsa me Tiranën e ngulni thikën pa frikë, nuk u thotë askush gjë. Dëgjoj të flitet për organizim të dobët të ndeshjeve, por po u them më duket se këta njerëz që flasin kështu janë të papërgjegjshëm.

Stadiumi ynë ka kapacitet 8500 veta dhe ndoshta kemi futur 9500 në ndonjë ndeshje, për të mos lënë asnjeri jashtë, por stadiumi ynë nuk ka asnjë gërvishtje, asnjë stol të thyer dhe është e turpshme të thuash që organizimi i ndeshjeve te Tirana nuk është në nivelin e duhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test