Panucci: “E vështirë ndaj Izraelit të fortë, do tentojmë ta ndalim!”

Futboll

Panucci: “E vështirë ndaj Izraelit të fortë, do tentojmë ta ndalim!”

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 20:12
Christian Panucci

Shqipëria do të diskutojë të dielën takimin e tretë të vlefshëm për grupin 1 të Ligës C në kompeticionin më të ri, atë të Ligës së Kombeve, ku do të përballet në transfertë ndaj Izraelit. Pikërisht në vigjilje të sfidës, trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, ka dalë këtë të shtunë përballë medieve në konferencën e fundit, i shoqëruar nga kapiteni kuqezi, Mërgim Mavraj. Një grup shumë i ekuilibruar, me të tre ekipet në të njëjtën kuotë pikësh, 3 në dy ndeshje, por me Shqipërinë që renditet në vend të tretë, për shkak të golavarazhit më negativ. Ndryshe nga intervistat dhe konferencat e fundit të italianit, këtë herë ai ka ditur të administrojë me profesionalizëm tensionin, madje duke shtuar edhe nota humori në fund të fjalës së tij.

“Jam optimist sepse kam parë ekipin duke u stërvitur këtë javë dhe ka qenë një nga javët më të mira. Morali është shumë i lartë dhe përgatitjet kanë shkuar mirë. Unë e mbështes punën tek ekipi ynë dhe jo tek lodhja e kundërshtarit. Bazuar në atë që kam parë në ndeshjen e Izraelit ndaj Skocisë, kam përzgjedhur formacionin tonë dhe kam të qartë idenë se si do të luajmë. Në fushë do të jenë edhe disa nga futbollistët që luajtën në miqësore. Gjithsesi, formacionin zyrtar do ta zbulojmë plotësisht nesër në fushë”, u shpreh tekniku Panucci në konferencën e fundit për mediat të dhënë para sfidës ndaj Izraelit.

“Ajo që pashë në ndeshjen Skoci-Izrael ishte një sfidë shumë e fortë. U duk sikur Izraeli ishte Skocia kundër nesh. Kundërshtari ka një ekip të mirë dhe do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Ne do të provojmë të japim më të mirën tonë dhe të marrim maksimumin. Është një ndeshje e vështirë. Ne e dimë se kemi një kundërshtar të fortë përpara. Kanë shumë kualitet dhe cilësi në përbërje. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por do tentojmë që t’i ndalojmë. Do të tentojmë që të përsërisim suksesin që realizuam në vizitën e fundit të Shqipërisë në Izrael”, vijoi trajneri i Shqipërisë, Panucci, që në lidhje me Balliun deklaroi: “Klubi nuk e ka lejuar dhe kjo nuk është shumë profesionale nga ana e klubit. Është potencial për t’u thirrur nga Kombëtarja”. Një konferencë e teknikut të kuqezinjve, që është mbyllur me nota humori, teksa deklaroi: “Nesër do mësoni gjithçka. E vendos kapiteni skemën (qesh)”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat