Kriza e Gjermanisë

Futboll

Kriza e Gjermanisë

Më: 15 tetor 2018 Në ora: 12:44
Joakim Lëv

Është një moment i vështirë për Gjermaninë, e cila pas Botërorit zhgënjyes në Rusi gjatë kësaj vere, nuk ka fituar ende në ndeshjet zyrtare. Vetëm një barazim 0-0 në shtëpi kundër Francës në debutimin në Ligën e Kombeve, pas së cilit vjen humbja e thellë 3:0 kundër Holandës në Amsterdam.

Rezultati i fundit është shumë alarmant: në Grupin 1, tani gjermanët renditen në vendin e fundit dhe rrezikojnë rënien me dy ndeshje akoma për t’u luajtur (njëra kundër Francës nesër mbrëma në Paris). Dhe tani, Joakim Lëv, pasi u konfirmua në stol pas Botërorit, duket më pranë se kurrë shkarkimit.

“Është e qartë që duhet të jem gati”, tha trajneri pas ndeshjes së Amsterdamit. “Duhet të bashkëjetojmë me këtë: kur luhet në këtë mënyrë, duhen marrë përgjegjësitë dhe në radhë të parë duhet ta bëjë trajneri. I fsheh ndjesitë e mia, kuptoj se duhet të flitet për vendimet e mundshme të federatës, por kjo nuk është puna ime. Unë duhet të kujdesem për skuadrën”.

Karakteri – Më shumë se 100 ditë nga humbja e dhimbshme kundër Koresë së Jugut në Rusi, nuk janë parë hapa përpara nga ish-kampionët e botës: “Kundër Holandës ishte një humbje shumë brutale dhe zhgënjyese. Mbi të gjitha, sepse duhet të themi se ishim në ndeshje në 30 minutat e para dhe loja ishte nën kontroll.

Për momentin mund ta ndiejmë qartë se nuk kemi besim në vetvete, diçka të cilën e kemi pasur në të shkuarën”. Dhe tani vjen përsëri radha e Francës. “Është e qartë që një rënie në Ligën 2 të Ligës së Kombeve nuk do të ishte e dëshirueshme. Tani duhet të tregojmë karakter pas kësaj humbjeje. Në ditët e mbetura do të përpiqemi që të përgatisim mirë ndeshjen kundër Francës”, përfundoi Jogi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat