Paramendojeni sikurse të lahej sot Ronaldo e Messi në këtë lum të Kosovës!

Futboll

Paramendojeni sikurse të lahej sot Ronaldo e Messi në këtë lum të Kosovës!

Nga: Kemajl Goca Më: 16 tetor 2018 Në ora: 17:17
Foto e bërë nga Gani Kosumi në vitet e 90-ta

Para më shumë se 20 viteve futbollistët tanë nuk e dinin se çka është teshatorja, çka është të lahesh në banjo të klubit dhe as si të vishesh e zhvishesh ashtu si e gjithë bota në teshatore. Pas çdo ndeshje shumica e klubeve tona, luksin me të madh e kishin që të laheshin nëpër ndonjë lum të ndonjë fshati dhe kur pushonin apo u duhej të zhvisheshin në ndonjë hije të lisit gjatë verës. Vazhdimisht ishin të përndjekur, të rrahur e të burgosur nga Serbia okupatore.

Stadiumet e palestrat tona sportive nga gushti i vitit 1991 e deri me 12 qershor të vitit 1999 ishin të uzurpuara nga Serbia shoveniste. Kjo foto është bërë nga gazetari i mirënjohur Gani Kosumi, që dha shumë për sportin tonë, tregon se sa ishte e tmerrshme situata, kur futbollistët tanë pastroheshin në pikë të dimrit në ndonjë lum! Paramendojeni sikur kjo ti ndodhte Messit ose Ronaldos, çfarë tragjedie do të ishte. Kryetari i nderit i KF Feronikelit Avdi Krasniqi, në vitet e 90-ta kryetar i këtij klubit, asnjëherë nuk i fshihet nga mendja dhuna nga Serbia shoveniste.

Image

Avdi Krasniqi

“Edhe në këto kushte u zhvillua futbolli! Gjenerata e pas luftës që tani janë 19-vjeçar, nuk janë në njohuri se futbolli i Kosovës përkundër dëshirës së Serbisë, është zhvilluar edhe në këto kushte. Derisa fushat e futbollit ishin të improvizuara, ara e livadhe, kur binte shi, lojtarët në fushë dukeshin sikur njerëzit që prenë tulla. Ata nuk dalloheshin as me numra e as me ngjyrë, sepse ishin të gjithë të skuqur nga balta. Merre me mend vetëm imagjino edhe në këto kushte është zhvilluar futbolli. Te rralla ishin kushtet sikur që duken në këtë foto, kur ndonjë lum apo prrockë ishte afër fushës së futbollit, ishte kënaqësi, lojtarët të paktën pastroheshin, pa e anashkaluar të ftohtit, lojtarët ishin ushtar të vërtet në luftë për suksese në sport dhe për liri dhe Pavarësi të Kosovës.

Në ato kushte luanin futboll: Eroll Salihu e Haki Istogu, Bardhec Selmani e Nazmi Hajdari, Bashkim Idrizi e Afrim Jashari, Afrim Tovërlani e Mehmet Cërvadiku, Gani Sejdiu e Musa Avdyli, Sabit Osmani e Avdullah Tahiri, Arbnor Morina e Halil Osmani, Sunaj Keçi e Nezir Dervishi, Rafet Prekazi e Hajriz Hajdari, Sami Geci e Avni Hasani, Jeton Çubreli e Hasan Rexhepi, e shumë e shumë e shumë lojtar të tjerë. Respekt për atë gjeneratë të artë të futbollit, të sakrificës të rezistencës, të sukseseve dhe të patriotizmit”, shkruan Avdi Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat