Të gjithë të çmendur për Maurizio-n, “Sarri-ball” zbarkon në FIFA 19

Futboll

Të gjithë të çmendur për Maurizio-n, “Sarri-ball” zbarkon në FIFA 19

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 07:50
Maurizio Sarri

Imitimi është forma më e sinqertë e vlerësimit. Dhe në futboll imitimi kthehet shpesh në lindjen e një filozofie të vërtetë taktike, të cilat vidhen, studiohen dhe më pas ripërdoren (me rezultate jo gjithmonë të njëjta). Pas Holandës së 1974-ës, futbolli duhej të ishte total, më pas erdhi Saçhi, u shtua Guardiola dhe tani ka ardhur radha e Maurizio Sarri-t, shpikësi i fundit. Loja e tij, që tashmë në Angli e quajnë “Sarri-ball”, analizohet në çdo detaj, sepse janë të shumtë ata që duan ta përdorin te skuadrat e tyre. Si trajnerët e vërtetë, ashtu edhe ata virtualë. Kështu, filozofia e trajnerit italian ka zbarkuar edhe në FIFA 19.

Në fakt, faqja angleze Squaëka ka publikuar një guidë të vërtetë që, pasi përzgjidhet në lojë, bën të mundur riprodhimin e futbollit të Sarri-t, i karakterizuar nga zotërimi i topit, kombinime dhe mbivendosje të vazhdueshme të pozicioneve. Me pak fjalë, ka mbaruar koha kur zgjidhej një modul i paracaktuar, tani mund të ndryshosh çdo gjë, nga presingu te depërtimet e lojtarëve. Kështu, një skemë e thjeshtë 4-3-3 transformohet me lehtësi në modulin e përdorur nga trajneri i Chelsea-it. Karakteristikat bazë? Presing i vazhdueshëm, një vijë mbrojtëse e lartë dhe zotërim i lartë i topit. Praktikisht, siç ndodh në realitet.

Në të njëjtën mënyrë, edhe futbollistët kanë udhëzime specifike. Mbrojtësit e krahut duhet të marrin pjesë vazhdimisht në ndërtimin e aksioneve (siç bëjnë Azpilcueta dhe Marcos Alonso), edhe pse në mënyrë të alternuar për të ruajtur ekuilibrat e ekipit. Udhëzimet e tjera janë për mesfushorët e krahut, që duhet të ndajnë detyrat e mbulimit dhe depërtimit (mjafton të mednosh për dyshen Allan-Hamsik në kohët e Napoli-t) dhe për tre sulmuesit, me qendërsulmuesin që duhet të kthehet në një fantazist dhe ata të krahut që duhet të depërtojnë drejt zonës së rreptësisë në rrugë qendrore.

Domethënë, një riprodhim besnik i “Sarri-ball”, që do të vërë pak në vështirësi trajnerët virtualë përballë skuadrave që luajnë në kundërsulm. Por kjo është një sakrificë e pranueshme për lojën e bukur. Edhe në futbollin virtual.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat