“Mbappe më ngjason me këto tri yje të futbollit italian”

Futboll

“Mbappe më ngjason me këto tri yje të futbollit italian”

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 10:16
Kylian Mbappe

Portieri i PSG-së, Gianluigi Buffon, ka mbështetur shokun e tij të skuadrës, Kylian Mbappe, për të fituar “Topin e Artë”, viti 2018. Mbappe u përzgjodh ndër 30 finalistët për këtë çmim prestigjioz individual, pas paraqitjes mahnitëse në këtë vit kalendarik, kur udhëhoqi PSG-në në një sukses të trefishtë vendas (në Ligue 1) dhe Francën në fitimin e Kupës së Botës (në Rusi).

19-vjeçari fitoi çmimin e lojtarit të ri më të mirë në Kupën e Botës së kësaj vere, pasi shënoi katër gola në turne, duke përfshirë një gol në finalen kundër Kroacisë. Dhe Mbappe e ka ruajtur ritmin e lartë të të luajturit në sezonin 2018-2019, deri më tani, duke shënuar 10 gola në vetëm shtatë ndeshje për PSG-në.

Shumë kanë thënë se Mbappe do të fitojë “Topa të Artë” në të ardhmen, por Buffon beson se “adoleshenti” ka mundësi ta bëjë këtë që këtë vit. “Duke pasur parasysh cilësitë e tij, atë që tregon në fushë dhe sa vendimtar ishte gjatë Kupës së Botës, ai e meriton atë trofe. Nuk mund të them të kundërtën”, – tha Buffon në emisionin televiziv francez “Tout le Sport”.

Kur u pyet nëse kishte takuar një talent të tillë, Buffon iu përgjigj: “Në Itali, ai mund të krahasohet me Roberto Baggio, Alessandro Del Piero dhe Francesco Totti. Por, Mbappe ka një talent të jashtëzakonshëm dhe cilësi teknike, që i kam parë rrallë. Është një fenomen dhe, nëse vazhdon të dëshirojë të jetë më i miri, nëse vazhdon të jetë entuziast dhe e ruan sjelljen e tij normale, mund të mbizotërojë shumë kohë në majat e futbollit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat