Ngjarje e rëndë në Itali, tifozi 53-vjeçar humbet jetën sapo del nga stadiumi i Serie A.
Një tifoz 53-vjeçar, i quajtur Karlo Valoni ka humbur jetën ditën e djeshme, pak minuta pasi ai ka dalë nga stadiumi “Tardini”, ku ishte duke ndjekur sfidën mes Parmës dhe Lazios, që përfundoi me rezultatin 0:2 në favor të miqve.
Mësohet se Karlo ishte tifoz i Lazios dhe ka humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak gjatë kohës kur po shkonte te stacioni i trenit për t’u kthyer në shtëpi.
Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, klubi i Lazios, i ka shprehur ngushëllimet e thella familjes, teksa është bashkuar me këtë dhimbje.