A do të kthehet Neymar te Barcelona? Presidenti Bartomeu përgjigjet qartë

Futboll

A do të kthehet Neymar te Barcelona? Presidenti Bartomeu përgjigjet qartë

Më: 22 tetor 2018 Në ora: 16:36
Presidenti i Barcelonës, Bartomeu

Presidenti i Barcelonës, Bartomeu, iu përgjigj pyetjeve të “Catalunya Ràdio” pas lëndimit të Lionel Messit dhe çështjeve të tjera të ditës, që kanë të bëjnë me klubin katalanas: “Ne jemi të shqetësuar për Messin. Ai është lojtari më i rëndësishëm në futbollin botëror. Kam folur me Leon dhe shpresoj se do të kthehet shpejt.

Neymar? Nuk pritet të kthehet. Ai u largua vetë. Tani është momenti i Dembélé dhe Coutinho, por edhe i të gjithë ekipit. Unë nuk kam marrë asnjë telefonatë nga njerëzit përreth tij. Neymar vendosi të paguajë klauzolën e përfundimit të kontratës së tij me Barcelonën. Transferimet? Nuk kemi ndërmend të nënshkruajmë me ndonjë në janar, do të shohim tek akademia, sepse ka lojtarë interesantë.

Borxhi i vërtetë i klubit? Borxhi i audituar është mbi 150 milionë euro. Ne jemi shumë mirë në të gjitha aspektet financiare dhe kjo u shpjegua në kuvend. Kemi një klub për t’u krenuar dhe po mendojmë për situatën në vitin 2021, kur të përfundojmë mandatin. Ne jemi klub që gjeneron shumë të ardhura. Mund të rritemi në shumë fusha, siç janë tregjet digjitale të hapura.

Shitjet? Po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar për të luftuar kundër “peshkaqenëve”, që ofrojnë miliona për lojtarët e rinj. Ne përpiqemi t’i bindim ata, por nuk është gjithmonë e mundur. Tani kemi lojtarë shumë të talentuar te Barcelona B. Nëse nuk arrijnë elitën, duhet të dimë si t’i shesim mirë.

Trajneri Valverde? Ai ka një kontratë për këtë sezon dhe për atë të ardhshmin. Nëse nuk dëshiron të vazhdojë, duhet të raportojë dhe të paguajë shumën për prishje të kontratës. Trajneri është duke i bërë mirë gjërat. Ai arriti dopietën e tetë sezonale në histori. Sezoni i ri sapo ka filluar dhe ne jemi liderë në La Liga e Champions. Ai është një trajner i zgjuar, që e di se çfarë dëshiron në çdo kohë.

Sandro Rosell në burg? Arsyet janë të ndryshme. Por, për mendimin tonë nuk ka arsye për të qenë në paraburgim. Ne jemi kundër kësaj. Gjykojeni atë, mirë, por të qëndrojë në shtëpinë e tij, jo në burg. Tani ai ka një datë të gjyqit, por do të ishte mirë nëse e lënë të lirë ta përgatisë si duhet mbrojtjen. Paraburgimi nuk është i mirë. Ka disa gjyqtarë që vendosin. Anëtarët e bordit tonë nuk e kuptojnë burgun e përkohshëm”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat