Uka: Drenicën e shoh stabile

Futboll

Uka: Drenicën e shoh stabile

Nga: Kemajl Goca Më: 22 tetor 2018 Në ora: 18:30
Kreshnik Uka

Drenica nga Skenderaj e ndjen qetësinë të paktën në 11 javët e para të elitës së futbollit të Kosovës. Skuadra nga Skenderaj renditet në vend të katërt me 18 pikë të grumbulluara, ka pesë me pak se lideri Feronikeli nga Drenasi, por kjo e fundit ka një ndeshje me pak të zhvilluar. Drenicasit janë në pozitë shumë të mirë dhe kanë tejkaluar pothuajse të gjitha parashikimet deri me tash.

Mesfushori anësor dhe sulmuesi i krahut, Kreshnik Uka, autor i golit të fitores së Drenicës me rezultat 1:0 kundër Lirisë, shprehet se arkëtuan tri pikë të mëdha. “Janë tre pikë të rëndësishme për skuadrën tonë dhe në kohë të duhur, pasi që na jep qetësi para tre ndeshjeve të ardhshme, që janë tejet të vështira me kundërshtarë si Llapi, Feronikeli e Prishtina”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Uka.

Tri ndeshje të vështira, a shpresoni se të paktën do të arrini edhe 4 pikë të reja? “Gjithmonë duhet të mendojmë në rezultate pozitive, pse jo edhe më shumë”, përgjigjet ai. Drenica nuk është larg kreut dhe nëse vazhdon me serinë e mirë të rezultateve mund të janë edhe më lartë në klasifikim. Synimi i futbollistit është që të janë skuadër stabile: “Drenicën e shoh stabile dhe lartë në tabelë. Jam optimistë për këtë”. Cilat janë synime e Drenicës? “Të vazhdojmë me këtë ritëm në kampionat, pastaj në Kupën e Kosovës si dihet...?!”.

Për 11 ndeshje Drenica ka pesë fitore, tre barazime e tre humbje, me goldallim 13:9. Ata përgatiten për takimin e radhës në stadiumin “Bajram Aliu” dhe shumë i vështirë, kundër Llapit nga Podujeva. Në rast të fitores kundër llapjanëve, skuadra kuqezi do të jetë shumë afër kreut të tabelës. Synimi i tyre është që të tubojnë sa më shumë pikë dhe të jenë sa më komod në vazhdim të kampionatit. Fitorja kundër Llapit, a ju shton gjasat për tre vendet e para? “Po, absolut dhe jemi më të relaksuar, ndryshe mendojmë atëherë”, ka thënë Uka, i cili shpreson se do të arrijnë rezultate edhe më të mira deri në fund të kampionatit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat