Prurjet e Bushit

Futboll

Prurjet e Bushit

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 18:08
Prurjet e Bushit

Trajneri Alban Bushi do të ndryshojë krejtësisht marsh me shpresat e tij, pasi mosha 1996-97 u dogj dhe tashmë ekipi kombëtar do të fokusohet te datëlindja 1998-99. Një pjesë e ekipit është e formuar nga edicioni eliminator i kaluar, kur numri një i stolit ftoi shumë lojtarë të moshës 1998. Një pjesë do të vijnë nga U-19 e Bogdanit, ndërsa do të ketë dhe afrime të reja.

Telesport ka mësuar dy afrimet e ardhshme të Alban Bushit. Me shumë mundësi, numri një i stolit do t’i dërgojë ftesë mesfushorit me tipare të avancuara, Jason Ceka. Ky i fundit është një produkt i shkollës gjermane të futbollit. Ai luan për ekipin e dytë të Schalkes dhe shihet me mjaft të ardhme. Me U-19 e ekipit gjerman ka luajtur në 27 ndeshje dhe ka shënuar 7 gola. 18-vjeçari ka qenë i grumbulluar dhe me Gjermaninë U-18. Afrimi i tij do të jetë me mjaft vlerë për skuadrën tonë, pasi mund të kontribuojë për disa vite. Shpresojmë të afrohet sa më shpejt!

Nga ana tjetër, Bushi ka zbuluar dhe një “xhevahir” në Serbi. Fjala është për mbrojtësin e krahut të majtë, aty ku largimi i Hakajt, na lë goxha boshllëk. Fjala është për Faton Xhemailin. Futbollisti është rritur në shkollën gjermane, por më pas ka kaluar në kampionatin e ligës së parë serbe Radnik Surdulica. Ai ka pasaportë serbe, por dhe kosovare dhe me shumë mundësi Bushi do e ftojë për ndeshjet e ardhshme. Xhemaili ka patur probleme me minutat, pasi 19-vjeçari ka mjaft konkurrencë në skuadër dhe niveli i futbollit serb është shumë i lartë. Ceka dhe Xhemaili me shumë mundësi do të jenë dy shqiponjat e reja të Shpresave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat