Trajneri i Shkëndijes: Të shikojmë përpara

Futboll

Trajneri i Shkëndijes: Të shikojmë përpara

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 16:47

Qatip Osmani pranon se Shkëndija tentoi të kthehet nga rezultati negativ përballë Pobedës që avancoi në pjesën e parë në takimin e mbyllur me shifrat 0:1. Ky epilog i jep përparësi minimale skuadrës nga Prilepi pas ndeshjes së parë të çerekfinales së Kupës. Janik Makota në minutën e 19-të shënoi golin e vetëm të takimit, ndërsa rezultuan të pasuksesshme tentimet e Shkëndijës që dominoi pa efekt ndeshjen edhe kur mbeti me 10-të lojtarë pas përjashtimit me të kuq të Bejtullait.

“Momenti vendimtar që humbëm këtë ndeshje ishte goli i pranuar në pjesën e parë në momente kur Shkëndija kishte dominim të plotë dhe pritej ne të shënonim. Ishte një moment i dyshimtë kur arbitri vlerësoi lojë me dorë në sulmin tonë dhe në vazhdim të atij aksioni ne pranuam gol. U munduam të kthehemi, krijuam disa raste që fatkeqësisht nuk i shfrytëzuam. Në pjesën e dytë shumë herët na ndodhi kartoni i kuq dhe megjithë hendikepin ne vazhduam të dominojmë dhe krijuam disa raste që fatkeqësisht nuk i konkretizuam me gol. Humbëm por megjithatë kemi ndeshjen e kthimit në të cilën edhe pse hyjmë me negativë prej një goli, unë besoj se Shkëndija do të jetë e aftë të kalojë këtë pengesë”, thotë trajneri Qatip Osmani, i cili potencon se edhe nëse do të kishte fituar skuadra e tij për ndeshjen e kthimit do të përgatitej për të triumfuar.

“Patjetër se ne mundohemi që në çdo lojë të fitojmë dhe me atë filozofi futbollistët hyjnë lojë pa marrë parasysh se çfarë kundërshtari kemi përballë. Në këtë drejtim nuk ndryshon asgjë, përveç se do të ishte shumë më mirë të shkonim me rezultat pozitiv. Gjithsesi duhet të shikojmë përpara dhe të besojmë dhe punojmë për ta përmbysur këtë rezultat”, përfundoi Osmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat