Milani kërkon sulmues, Leonardo piketon një “ish”

Futboll

Milani kërkon sulmues, Leonardo piketon një “ish”

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 15:28
Milani

Na ishte një herë e një kohë një Milan i mbushur me yje, emra të mëdhenj që mjaftonin për t’u futur të dridhurat kundërshtarëve, brenda e jashtë Italisë.

Tashmë Milani jeton me kujtimet e lavdishme të së shkuarës, ndërsa nuk pretendon dot majat as në Itali, jo më në Europë.

Megjithatë, me ndryshimin e pronarit dhe ardhjen e Paolo Maldinit e Leonardos, gjërat po ndryshojnë. Skuadra është përforcuar në verë dhe procesi i rinovimit do të vijojë, duke ecur paralelisht me përmirësimin e bilancit.

Për në janar Milani kërkon urgjentisht sulmues, pasi Gattuso ka në dispozicion vetëm Higuain e Cutrone. Prej kohësh po flitet për kthimin e legjendës Zlatan Ibrahimovic, por suedezi është 37 vjeç dhe forma e tij fizike nuk është ajo e para disa viteve, pa harruar se kostoja financiare e operacionit është e konsiderueshme.

Në krahun tjetër, Leonardo ka në tryezë edhe një opsion tundues, sepse Alexandre Pato dëshiron të kthehet në kuqezi. Braziliani, i cili kur shkoi te Milani kishte të dhëna fantastike, por më pas dëmtimet dhe jeta e natës e morën në qafë.

Tani Pato luan në Kinë, te Tianjin Quanjian, ku ka kontratë edhe për një vit, por dëshira e tij është të kthehet në Europë dhe mediat në Itali raportojnë se Leonardo ka biseduar me të. Pikërisht Leonardo e çoi te Milani në vitin 2007, për 22 milionë euro, por këtë radhë Milani nuk shpenzon dot, për shkak të Fair Play financiar, ndaj ka dy zgjidhje: ose Pato prish kontratën në Kinë, ose kalon në huazim te Milani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat