“Topi i Artë”, CR7 e Messi ngelen jashtë podiumit për herë të parë

Futboll

“Topi i Artë”, CR7 e Messi ngelen jashtë podiumit për herë të parë

Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 17:24
Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo

Prej një dekade, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo ishin dominues në garën për “Topin e Artë”, duke e fituar trofeun më të lakmuar individual nga 5 herë secili.

Ky skenar duket se do të ndryshojë këtë vit, pasi të dhënat më të fundit që vijnë nga Franca tregojnë se, pas numërimit të gjysmës së votave, si portugezi, ashtu dhe argjentinasi nuk do të jenë as në podiumin e kësaj gare, ndërkohë që futbollistët më të votuar rezultojnë se janë Modriç, Varane e Mbappe.

Ai që i zbuloi këto të dhëna ishte gazetari i “Radio France International”, Eric Mamruth, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në rrjetin social “Twitter”.

Modriç, që fitoi edhe çmimin e “Lojtarit më të mirë të FIFA-s dhe UEFA-s”, shihet si favoriti kryesor për të fituar edhe nga kompanitë e basteve.

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi u penalizuan nga ecuria e skuadrave të tyre përfaqësuese në Botërorin e Rusisë, ku shkëlqyen francezët. Varane e Mbappe luajtën një rol të rëndësishëm në triumfin e Francës së Didier Deschamps, në finalen ndaj Kroacisë së Modriçit.

Nëse bazohemi te Kupa e Botës, atëherë ajo që bën më shumë zhurmë në garën për “Topin e Artë” është mungesa në podium e Antoinne Griezmann, edhe ky një element i rëndësishëm i Francës në fitoren e turneut. Gjithsesi, gjithçka në këtë histori pritet të qartësohet pas një muaji, kur do të mësojmë edhe fituesin e “Topit të Artë” pasi të kenë votuar të 173 gazetarët me të drejtë vote.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat