Brenda fabrikës së talenteve, Dortmundi “gërmon” për xhevahirët e së ardhmes

Futboll

Brenda fabrikës së talenteve, Dortmundi “gërmon” për xhevahirët e së ardhmes

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 08:13
Borussia Dortmund

Nëntor 2018, vetëm pak muaj nga sezoni i ri dhe në Europë risia e vërtetë mund të quhet Borussia Dortmund, skuadra që sapo ka mundur Bayern-in dhe është kthyer pretendente e madhe për titullin kampion në Gjermani, pas disa vitesh në hije.

Nuk është thjesht renditja, kryesuese në Bundesligë me 7 pikë më shumë se Bayern, sepse Dortmundi është një rast për t’u studiuar, një minierë ari që shërben si leksion për gjithë klubet e mëdhenj, edhe pse ndokush, si Manchester City, leksionet i jep vetë, duke prerë çeqe të majme.

Para pak javësh Dortmundi shpartalloi 4-0 Atletico Madridin, askush nuk ia kishte bërë këtë në karrierë Diego Simeones. Një ditë më vonë, në mëngjes, tifozët ishin rreshtuar me laps e letër, ndërsa njeriu më i kërkuar ishte një djalosh që askush nuk e njihte deri para pak kohësh, Jadon Sancho.

Vetëm 18 vjeç, Sancho është bërë anglezi i dytë më i ri që shënon në Champions League. Atmosfera në Dortmund ishte e jashtëzakonshme, entuziazmi në nivelet më të larta.

Drejtori i akademisë së Dortmundit, ish-futbollist që ka luajtur vetëm për këtë klub, Lars Ricken, është i lumtur: “E patë formacionin? Reus, Gotze, Pulisic and Bruun Larsen: 4 lojtarë që i kemi rritur vetë, tek të rinjë. Kjo është një nga arsyet pse atmosfera në stadium është aq e bukur. Tifozët identifikohen me skuadrën”.

Ricken mund të shtojë mbrojtësit Achraf Hakimi (në huazim nga Real Madridi) dhe Dan-Axel Zagadou, blerë nga PSG vitin e shkuar, pak kohë para Sancho-s. Dortmundi krenohet me zhvillimin e të rinjve dhe gjysma e ekipit të parë janë 22 vjeç e poshtë.

15 muaj kanë kaluar që kur Sancho la Manchester City-n për 8 milionë sterlina. Që atëherë, djaloshi i ndrojtur është kthyer në titullar dhe këtë sezon ka dhënë 6 asiste, si askush tjetër në Bundesligë. Nëse merret parasysh mesatarja asist për minuta, Sancho nuk ka rivalë, sepse ka luajtur vetëm 544 minuta në Bundesligë dhe qartësisht trajneri Favre po tregohet i kujdesshëm. Një kontratë e re është firmosur deri në vitin 2022 dhe tashmë Sancho vlen mbi 100 milionë euro. Gareth Southgate nga Anglia fërkon duart, po i rritin një supertalent dhe nuk është çudi që ta hedhë në fushë në formacionin titullar që të enjten, në miqësoren kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sebastian Kehl, një tjetër legjendë e klubit dhe pikë kyçe në makinerinë drejtuese, shpjegon se tashmë fokusi i Dortmundit është Anglia: “Jemi përqendruar te tregu anglez, Jadon është një shembull i mirë. Ne jemi shumë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për zbulimin e talenteve. Në Angi, të rinjtë nuk kanë hapësira për shkak se klubet kanë buxhete të mëdhenj dhe kanë mundësi të blejnë lojtarë pa fund, ndaj nuk kanë kohë të presin të rinjtë. Kjo është diçka e mirë për ne, por duhet të tregohemi shumë të shkathët për të përfituar”.

Në fakt, edhe klube të tjerë mundohen, por Dortmundi është tepër i shkathët. Dy ndeshje në një turne në Turqi mjaftuan që klubi gjerman të bindej për të firmosur me talentin amerikan Christian Pulisic, por perla  vërtetë quhet Ousmane Dembele, i cili u zbulua te Rennes (15 milionë euro kostoja) dhe 6 gola në një sezon fantastik në Bundesligë bindën Barcelonën ta blinte për më shumë se 100 milionë euro verën e shkuar.

“Oferta ishte shumë e madhe, nuk mund të refuzonim, ndaj vendosëm, ‘OK, duhet ta shesim  të blejmë lojtarë të rinj dhe të krijojmë të tjerë si Dembele’. Është si një qark i mbyllur”, shpjegon Kehl, i cili shton se Sancho nuk është i fundit në listë: “‘Sergio Gomez, i cili është 18 vjeç, iku nga La Masia e Barcelonës për të ardhur te ne. Ky është një sinjal. Jemi munduar ta forcojmë dhe ai duhet të jetë talenti i ardhshëm”.

Gjithsesi, Dortmundi mohon me vendosmëri etiketën që është një klub që shet dhe është interesante të dëgjosh arsyetimin pas rritjes së tij të papritur. Së pari, ka ndikuar fakti që ai luajti pak në sezonin e parë dhe mësoi të mbijetonte, me forcat e veta.

“Duhet pak kohë, gjithçka ishte e re për të vitin e shkuar. Familja e tij vjen herë pas here, por zakonisht ai është vetëm, nuk është se ka ndokënd pranë në çdo moment. Askush nuk e shoqëron kur del për të bërë pazar. Ai duhet të bëjë gjithçka vetë, edhe pse ne jemi aty, në dispozicion. Ne kujdesemi për të, por nuk bëjmë gjithçka, sepse vjen një moment ku një lojtar duhet të bëjë gjithçka vetë. Ndihmon në zhvillimin e personalitetit”, thotë Kehl.

Sancho ka parë fotot e ikonave të klubit në muret e Westfalenstadion dhe sfida e tij është të vendosë edhe foton e tij në ato mure. Ai po studion gjermanisht dy herë në javë, pasi rëndësia e të folur gjermanisht i është theksuar që në fillim. Për një anglez është diçka shumë e vështirë, por Sancho pak nga pak po mëson.

Trajneri Favre dhe analistët e ekipit të parë takohen shpesh me Sancho-n, për ta ndihmuar të zhvillohet teknikisht. Para se të linte Anglinë, Sancho pa Dortmundin, një qytet ku futbolli është i vetmi faktor që bashkon një krahinë që ka humbur shumicën e industrisë së vet.

Ideja për të blerë të rinj doli në dritë kur Dortmundi po vuante nga kriza financiare në vitin 2005. Ricken, kampion Europe në 1997, përmend shitjet e sulmuesit David Odonkor te Betisi në 2006 dhe Mario Gotze te Bayern në vitin 2013 si shembuj të shitjes për të investuar sërish.

“Nuk mund t’i blejmë yjet, duhet t’i krijojmë ata. Kemi pasur një periudhë rindërtimi, sepse në vitin 2016 humbëm Hummels, Gundogan e Mkhitaryan dhe më pas Aubameyang e Dembele. Zgjidhja nuk ishte blerja e lojtarëve të pjekur, në moshë madhore, edhe pse ka përjashtime”, sqaron Ricken.

Përjashtim është, për shembull, Axel Witsel, një lojtar që shkoi në Kinë për një kontratë “faraonike”, por vendosi të kthehej në futbollin e vërtetë, duke zgjedhur Dortmundin, edhe për faktin se iu garantua se do të ishte në qendër të një projekti shumë ambicioz.

Shumica e të rinjve të klubit janë nga Nordrhein-Westfalen, krahina ku ndodhet Dortmundi, ndërsa Ricken thotë se Dortmundi ka shumë pak zbulues talentesh të shpërndarë nëpër Europë, duke u mbështetur më shumë te njohjet.

“Ne jemi bërë të famshëm jo vetëm për faktin se shpenzojmë për të blerë talente, por edhe sepse u japim besim dhe kohë”, shpjegon drejtori sportiv Michael Zorc, i cili ka pasur një rol të madh në promovimin e të rinjve, që në kohën kur drejtonte Jurgen Klopp.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat