Nga Kosova në luftë te kombëtarja kuqezi

Futboll

Nga Kosova në luftë te kombëtarja kuqezi

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 12:42
Egli Kaja

Egli Kaja është një nga prurjet e reja të trajnerit Christian Panucci në kombëtaren shqiptare. Ai e përjeton si një kulm në karrierë, veshjen e fanellës kuqezi, të cilën synon ta përfaqësojë sa më mirë, si një mënyrë për të shpërblyer edhe mundimet e prindërve të tij. Sidoqoftë, futbollisti i Livingston-it pranon se nuk ka asgjë, që do të mund ta paguante borxhin, që i detyrohet babait Krenar dhe nënës Arjana. Ja rrëfimi i plotë i tij për “deadlinenews.co.uk”:

“Kaja ishte vetëm dy vjeç, kur ata morën vendimin që iu ndryshoi jetën. Fjala është për largimin nga atdheu i tyre i shkatërruar nga lufta në Kosovë. Ishte viti 1999 dhe, si shumica e qyteteve kosovare, vendlindja e tij, Ferizaj, ishte në gjendje lufte, pas një konflikti që pretendohet se ka marrë më shumë se 13.000 jetë njerëzish.

Egli Kaja ishte shumë i ri për t’i vlerësuar sfidat, me të cilat ballafaqohej familja e tij dhe deri më sot, prindërit nuk priren ta ngarkojnë me tregime të asaj periudhe traumatike. Sidoqoftë, Kaja është shumë i vetëdijshëm për sakrificat e bëra, nga rreziqet e ndërmarra prej babait dhe nënës, për të kërkuar paqe dhe prosperitet për të dhe motrën e tij.

“Unë isha vetëm një fëmijë, kur jetonim në Kosovë, kështu që nuk e kam të qartë me të vërtetë atë që ndodhte në atë kohë, – thotë Kaja. – Nuk është diçka, për të cilën më flasin prindërit e mi, por e di se duhet të ketë qenë një kohë shumë e vështirë. Prindërve iu desh shumë guxim dhe vendosmëri për të arritur në Britaninë e Madhe.

Ata ishin të vendosur për të ndërtuar një jetë për mua dhe motrën time dhe çdo vendim që ata kanë bërë, ka qenë për ne. Bënë sakrifica të mëdha; braktisën familjet e veta, lanë punën dhe ndërmorën një rrezik të konsiderueshëm mbi vete. Do t’iu jem gjithmonë mirënjohës për gjithçka që më kanë dhënë”.

Familja “Kaja” u vendos në Middlesbrough, përpara se të shkonte në Londër, kur Egli ishte 10 vjeç. Talenti i tij u zbulua me shpejtësi nga AFC Wimbledon dhe ai mbetet në librat e “Dons” deri në këtë ditë. “Prindërit bënë gjithçka që mundën për të më ndihmuar në futbollin tim, duke më ndjekur ngado në trajnim, në shi dhe në borë, – kujton ai. – Ka qenë një dreq udhëtimi ai nga Kosova në Angli dhe, megjithëse ke ëndrrat e tuaja, kurrë nuk mendonim se mund të luaja futboll ndërkombëtar një ditë”.

Si pasojë, nocioni se prindërit nuk mund të jenë në stadium për debutimin e tij ndërkombëtar, është diçka e paimagjinueshme për Egli Kaja, i cili u grumbullua me Shqipërinë për barazimin 0-0 të muajit të kaluar, kundër Jordanisë, dhe humbjen 2-0 në Izrael, por nuk e bëri “sefte” në formacion.

“Prindërit kanë angazhime pune dhe gjëra të tjera, por unë u thashë atyre: Do të paguaj për ju, që të vini e të më shihni, – shton futbollisti. – Kështu, ata do të fluturojnë të premten drejt Shqipërisë dhe do të qëndrojnë deri të mërkurën, për të parë ndeshjet kundër Skocisë dhe Uellsit. Shpresoj ta bëj debutimin tim para tyre, duke marrë parasysh gjithçka që ata kanë bërë për mua. Unë e di se sa krenar do t’i bëja ata”.

Kaja, që ka bërë tetë paraqitje në huazim te “Luanët”, këtë sezon, është duke shijuar tashmë edhe të mësuarit e futbollit ndërkombëtar me Shqipërinë. Ai pranon se e ka veshur fanellën e superstarit të Seria A, Elseid Hysaj, sepse frymëzohej prej tij, gjatë kohës që e ndiqte Shqipërinë si tifoz:

“Është një eksperiencë e shkëlqyer për të punuar së bashku me djemtë kuqezinj, që luajnë për skuadrat e mëdha europiane, si Hysaj te Napoli dhe Taulant Xhaka te Basel. Do të ishte e çmendur të mos bisedoja me këta lojtarë, të mos mësoja prej tyre gjithçka mundem dhe të kuptoj prej tyre se çfarë duhet të bëj atje”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat