Sermaxhaj: Kosova do të jetë shumë më e qetë në aspektin psikik

Futboll

Sermaxhaj: Kosova do të jetë shumë më e qetë në aspektin psikik

Nga: Kemajl Goca Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 19:17
Sermaxhaj: Kosova do të jetë shumë më e qetë në aspektin psikik

Kombëtarja e Kosovës nesër (18.00) pretendon pikë të plota në stadiumin Ta' Qali kundër Maltës. Kosova është e mobilizuar dhe fitorja do ta vë në pozicionin superior para sfidës së fundit në kryeqytet ndaj Azerbajxhanit.  Kombëtarja jonë udhëheq me 8 pikë apo ka 4 fitore e 2 barazime në grupin 1 të Ligës së Kombeve në Divizionin D, ndërsa Azerbajxhani është në vend të dytë me 6, pasojnë Ishujt Faroe 4 dhe Malta 2.

Analisti i futbollit Genc Sermaxhaj tha se Kosova është favorite në dy ndeshje dhe shpreson se nga Malta Kombëtarja jonë do të kthehet me pikë të plota, që do t’ia përforcojë pozitën e parë para sfidës së fundit (në orën 20.45) me 20 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.  

“Natyrisht se presim rezultat pozitiv në ndeshjen ndaj Maltës në ditën e shtunë, sepse duhet të forcojmë edhe më shumë pozitën e parë dhe të presim Azerbajxhanin më të qetë”, tha për gazetën “Bota sot”, Sermaxhaj. Ish reprezentuesi i Kosovës mendon se Kosova është favoritë: “Jemi favorit në këtë ndeshje, por duhet të japim maksimumin dhe të jemi të disiplinuar në detyrat e lojës.

Nuk guxojmë aspak të nënçmojmë kundërshtarin për asnjë çast sepse mund të ndëshkohemi”.  Sermaxhaj tha se nëse fitojnë ndaj Maltës, Kosova do të jetë shumë më e qetë në aspektin psikik për takimin e fundit. “Nëse këtë ndeshje e kalojmë me fitore, jam i sigurt se psikikisht në ndeshjen e fundit ndaj Azerbajxhanit do të futemi në lojë më të relaksuar. Të dy ndeshjet janë të rëndësishme por lojtarët sigurisht se janë të koncentruar fillimisht në ndeshjen e së shtunës ndaj Maltës që duhet ta përfundojmë në favorin tonë, pastaj të mendojmë për ndeshjen me Azerbajxhanin”, ka thënë ai.

Kosova deri me tash ka treguar lojëra të mira dhe pretendon të jetë e para në grupin 3. “Forca jonë është kompaktësia dhe loja e mirë në vazhdimësi, atmosfera e mirë mes lojtarëve, dhe mbështetja e tifozëve ‘Dardanët’. Ne të gjithë së bashku duhet të mbështesim Kosovën në këto dy ndeshjet e fundit që ajo sa më lehtë të kaloj fazën e grupeve”, thotë Sermaxhaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat