Shala dhe Rashica kërkojnë përkrahje ndaj Azerbajxhanit në Prishtinë

Futboll

Shala dhe Rashica kërkojnë përkrahje ndaj Azerbajxhanit në Prishtinë

Më: 17 nëntor 2018 Në ora: 22:31
Shala dhe Rashica

Dy yjet e Kosovës, Herolind Shala dhe Milot Rashica, e kanë theksuar rëndësisë e ndeshjes së fundit të Kosovës në fazën grupore të edicionit inaugurues të Ligës së Kombeve në Ligën D ndaj Azerbajxhanit, të martën në Prishtinë, duke u bërë thirrje edhe tifozëve për përkrahje.

Kosova, që e turpëroi 5-0 Maltën në udhëtim të shtunën, është lidere e Grupit 3 me 11 pikë, dy më shumë se Azerbajxhani në vendin e dytë.

Ekipit kombëtar të Kosovës i duhet të paktën një barazim për ta siguruar vendin e parë në grup, që do ta promovonte në Ligën C të Ligës së Kombeve dhe do t’i jepte mundësi për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020 në rast se e fiton një ndeshje gjysmëfinale dhe një finale ndaj fituesve të grupeve tjera në Ligën D, raporton Gazeta Express.

Herolind Shala është shumë i kënaqur me fitoren ndaj Maltës.

Megjithatë thotë se tani ekipi mendon për ndeshjen vendimtare, atë ndaj Azerbajxhanit, dhe kërkon përkrahjen e tifozëve për ta vazhduar ëndrrën.

“Çfarë fitore e bukur. Jemi të parët në grup, por tani me mendje për Azerbajxhanin. Na duhet përkrahja e tifozëve për ta vazhduar ëndrrën”, ka shkruar Shala në Facebook.

Ndërsa, Rashica ka thënë se është i lumtur për fitoren e rëndësishme.

“Jam i kënaqur me golin dhe asistet e mia, por jam edhe më shumë i kënaqur me fitoren pasi kemi pasur nevojë për të. Kemi punuar për njëri-tjetrin, kemi ndihmuar njëri-tjetrin e kemi vrapuar. Kemi luajtur bashkë si ekip, e kjo ka më së shumti rëndësi dhe besoj se në fund kemi shënuar një fitore shumë të rëndësishme”, ka deklaruar Rashica pas takimit.

Ai ka shtuar sot Kosova ka mundur të shënonte 2-3 gola vetëm në pjesën e parë.

“Jemi futur në këtë lojë me idenë që të mos bëjmë gabimet që kemi bërë në ndeshjen e fundit, që na kushtuan në fund me dy pikë, e rastet e krijuara jemi munduar t’i shfrytëzojmë më mirë. Në pjesën e parë kemi mundur të shënojmë edhe 2-3 gola, por besoj se këtë e bëmë në pjesën e dytë, duke kontrolluar lojën dhe shfrytëzuar rastet që patëm”, ka thënë Rashica.

Ylli i Werder Bremenit thotë se përkundër fitores së thellë nuk ka kundërshtar të lehtë, e ashtu ishte edhe Malta.

“Besoj se nuk ka kundërshtarë të lehtë. Sot kemi luajtur si mysafirë dhe Malta s’ka pasur çka të humbë. Nuk ka kundërshtar të lehtë, por ne jemi futur në lojë shumë më të fokusuar, kemi luftuar për njëri-tjetrën dhe besoj se në fund merituam fitoren”, u shpreh ai.

Rashica thotë se tani fokusi është te ndeshja ndaj Azerbajxhanit në “Fadil Vokrri”, e kualifikimi i mundshëm do të ishte fantastike për Kosovën.

“Ndeshja ndaj Azerbajxhanit është si finale, dhe ndeshja më e rëndësishme për të gjithë neve si shtet. Sot ne kemi përfunduar pjesën e parë dhe e dyta është në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ kundër Azerbajxhanit. Besoj se kemi përparësi me gjithë ata tifozë tonë, por prapëseprapë në fushë jemi të gjithë të barabartë. Kualifikimi tutje do të ishte dhurata më e mirë për shtetin tonë të ri, do të ishte diçka fantastike”, është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat