Çfarë thotë Agim Ademi për fitoren e Kosovës

Futboll

Çfarë thotë Agim Ademi për fitoren e Kosovës

Më: 18 nëntor 2018 Në ora: 12:41

Stadiumi “Te’Qali” në La Valleta do të mbetet gjatë në kujtesën tonë dhe të gjithë tifozëve tanë, pasi pikërisht në këtë impiant djemtë tanë regjistruan fitoren më bindëse në historinë e re të futbollit të Kosovës. Po ashtu, kjo fitore bëri që të vazhdojë ëndrra e secilit prej nesh, një pjesë të së cilës duhet ta jetësojmë të martën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” me përkrahjen e tifozëve tanë të zjarrtë “Dardanët” në përballjen kundër Azerbajxhanit, me sigurimin e pozitës së parë në Grupin 3 të Ligës D, që do të na mundësojë promovimin në Ligën C për edicionin e radhës së Ligës së Kombeve, si dhe do të na sigurojë kalimin në ‘play-off’ të Ligës D.

Paraqitja e djemve tanë ishte e shkëlqyeshme, derisa rezultati dhe fitorja e arritur na bëri krenar të gjithëve. Fakti që pas festës së fitores të gjithë lojtarët u shprehën modest dhe me mendje për t’u përgatitur sa më mirë për duelin kundër azerëve tregon profesionalizmin dhe dëshirën e tyre të flaktë që ta përmbyllin këtë fazë të Ligës së Kombeve si triumfues.

Si president i FFK-së dua të falënderoj dhe të uroj nga zemra futbollistët, shtabin teknik, ‘Dardanët’ dhe gjithë popullin në Kosovë e Diasporë për këtë fitore të madhe. Po ashtu, falënderoj të gjithë ata që udhëtuan me ne në La Valleta për të na përkrahur dhe të gjithë ata që na kanë përkrahur dhe vazhdojnë të na japin kurajë gjatë rrugës sonë të përbashkët dhe dua t’u them se secili prej tyre e ka pjesën e tij të suksesit.

Na priftë e mbara edhe në ndeshjen e ardhshme.

Ju mirëpresim në mbrëmjen e së martës në festën e madhe në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruan Agim Ademi, president i FFK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat