Duka merr vendimin për Panuccin

Futboll

Duka merr vendimin për Panuccin

Më: 18 nëntor 2018 Në ora: 14:00
Duka merr vendimin për Panuccin

Eliminatore skandaloze, vendi i fundit në grup, rinovimi i ekipit çalon, pak cilësi, atmosferë negative dhe tifozë që kanë humbur entuziazmin! Ata pak që vazhdojnë e ndjekin kombëtaren i treguan derën Panuccit në “Loro Boriçi” me thirrjet “Vaffanculo”. Presidenti Armand Duka nuk ka se çfarë të presë më,  e tha dhe para ndeshjes me Skocinë se kjo sfidë do të ishte vendimtare për fatet e trajnerit italian dhe tashmë vendimi është marrë.

Duka do të pushojë Panuccin! Trajneri italian nuk dha dorëheqjen për ta bërë më të thjeshtë, por numri një i Federatës Shqiptare të Futbollit e ka marrë vendimin e tij. Tekniku italian do të jetë në pankinë dhe për sfidën ndaj Uellsit me shumë mundësi, nëse nuk ndodh ndonjë situatë e papritur dhe më pas do të largohet nga drejtimi i kombëtares sonë, shkruan sportekspres nga Tirana.

45-vjeçari kishte Ligën e Kombeve për të treguar se ishte i duhuri për Shqipërinë, por nuk ia doli mbanë. Arritja në Europian ka rritur shumë pritshmëritë e tifozëve dhe Panucci dështoi t’i përmbushte. Si të mos mjaftojnë rezultatet kundra, ekipi shqiptar nuk po prodhon as lojë dhe nuk të dhuron asnjë emocion.

Me ndarjen e rrugëve me Panuccin, Duka duhet të gjejë një tjetër emër për drejtimin e skuadrës. Hijet e Gianni De Biasit po sillen në ajër, ishte i pranishëm dhe dje në stadiumin “Loro Boriçi”. Gojët e liga thonë se italiani priste dështimin e bashkëkombasit të tij dhe tashmë ka nisur sulmin! Ekip nuk ka, mundësi nuk ka, e ku ka mirë se sa të kthehej në “parajsë”? A do të ishte e ndershme? Kush pyet për parime sot! Arroganca dhe ofertat “stratosferike” që i pengoi Shqipëria harrohen...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat