Mbrojtësi kroat Sime Vrsaljko la fushën i dëmtuar pasditen e djeshme në “Wembley”, kur përfaqësuesja e tij po përballej me Anglinë, ndërsa sot janë kryer edhe ekzaminimet e para për të përcaktuar shkallën e lëndimit.
Ndonëse nuk bëhet fjalë për një dëmtim shqetësues, mjekët e Interin kanë konfirmuar se mbrojtësi i djathtë nuk do të mund të jetë i gatshëm për sfidën e fundjavës ndaj Frosinones.
Gjithashtu në dyshim është edhe prezenca e tij në transfertën e mesjavës së ardhshme, sërish në “Wembley”, por këtë herë përballë Tottenhamit, në sfidën e vlefshme për Ligën e Kampionëve.
Mjekët zikaltër po përpiqen ta rikuperojnë futbollistin sa më shpejt të jetë e mundur, por pa kërkuar të rrezikojnë, pasi në atë pozicion është tashmë i gatshëm edhe mbrojtësi tjetër Danilo D’ambrosio.