Futbolli sipas Thiago Motta: Unë mund të luaj edhe me skemën 2-7-2…

Futboll

Futbolli sipas Thiago Motta: Unë mund të luaj edhe me skemën 2-7-2…

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 14:31
Thiago Motta

Nga fusha në stol, asgjë nuk ka ndryshuar për Thiago Motta. I intervistuar nga “La Gazzetta dello Sport”, trajneri që drejton U-19 të PSG-së, rrëfen se ëndërron të bëjë kapërcimin e madh, të “kërcënojë” postin e Tuchel: “Unë e respektoj atë, nuk kam asgjë kundër tij, por qëllimi im është stoli i PSG-së…”

Ndërkohë, italo-braziliani shpjegon filozofinë e tij të veçantë të futbollit: “Për mua, ekipi mund të lexohet duke filluar nga e djathta në të majtë. Futbolli ka kuptim edhe nëse luajmë me skemën 2-7-2. Për mua, sulmuesi është mbrojtësi i parë dhe portieri është sulmuesi i parë. Një lojtar i nivelit të lartë duhet ta bëjë këtë. Në të kundërt, jo. Unë kam parë ekipe të vogla, që luajnë një futboll të madh”.

Modeli, sigurisht, është Guardiola, edhe pse Thiago Motta nuk ka dyshime: “Ancelotti zotëron nivel të lartë të njohurive mbi futbollin. Ai ka menaxhim perfekt të dhomës së zhveshjeve, di si t’i përgatisë ndeshjet, është si psikolog dhe ndërton marrëdhënie njerëzore me lojtarët”.

Thiago Motta ka fjalë të mëdha edhe për trajnerin Mourinho: “Ai është një fitues, në kuptimin që koka e tij ka vetëm një qëllim: të fitojë ndeshjen. Mourinho nuk është i interesuar për shfaqjen.
Nëse luani mirë, por keni humbur, ai nuk mund të gjejë asgjë pozitive. Ndërsa, nëse fiton, por luan keq, ai është shumë i lumtur. Mourinho nuk kërkon bukuri, kërkon një armik, e krijon atë”.

Së fundi, ish-mesfushori i kombëtares axurre flet për futbollin italian: “Juventusi ka arritur tashmë në finalen e Champions-it. Ai kishte nevojë për një lojtar, që të vendoste në finale. Për këtë e mori Cristiano Ronaldon, besoj.

Titulli në Italia? Juve nuk duhet të bëhet justifikim për të tjerët; nuk do të fitojë përgjithmonë. Askush nuk e bën këtë. Ajo do të ndalet. Dhe unë mendoj se do të jetë Interi, ai që do ta ndërpresë këtë “monarki” bardhezi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat