Komuna e Gjakovës ndanë subvencione për bujqësi dhe sport

Gjakova

Komuna e Gjakovës ndanë subvencione për bujqësi dhe sport

Më: 9 shkurt 2017 Në ora: 17:39
Pamje nga takimi i komunës së Gjakovës

Komuna e Gjakovës ka ndarë 60 mijë euro për subvencionime në bujqësi dhe 57 mijë euro për subvencionimin e klubeve dhe aktiviteteve sportive. Kjo është bërë e ditur në mbledhjen e rregullt të Bordit të Drejtorëve, e cila është mbajtur sot.

Nën udhëheqjen e kryetares së komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, bordi fillimisht e ka aprovuar kërkesën e drejtorisë së Bujqësisë për subvencionimin e 20 fermerëve me serra të kapacitetit 240 m2. Sipas drejtorit të Bujqësisë Bekim Ermeni, shuma e këtij subvencionimi arrin deri në 50 mijë euro. Shtesë kësaj, Bordi e ka aprovuar edhe kërkesën tjetër të drejtorisë së Bujqësisë, për subvencionimin e fermerëve me pemë të imëta, konkretisht me mjedra dhe aronia, një pemë kjo që për herë të parë po subvencionohet në komunën e Gjakovës. Sipas drejtorit Ermeni, drejtoria ka planifikuar që me rreth 10 mijë euro të ndara të subvencionohen në tërësi 2.5 deri në 3 hektarë të mbjella me këto dy lloje të pemëve, konkretisht 10 – 20 ari për një fermer.

Nga ana tjetër, drejtori i drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport Meriton Ferizi ka prezantuar planin e subvencionimit të klube sportive por edhe turneve e aktiviteteve sportive që pritet të mbahen gjatë vitit 2016. Në këtë drejtim, Bordi e ka miratuar këtë plan, i cili parasheh ndarjen e një shume prej 57 mijë euro, shumë e cila sipas drejtorit Ferizi është dy apo tri herë më e madhe se shuma që kanë ndarë komunat tjera për sportin. Sa i përket ndarjes së kësaj shume, vlen të përmendet se atyre përfshihet edhe organizimi i Turneut Ndërkombëtar në Hendboll për meshkuj “Bashkim Idrizi”, Turneut Ndërkombëtar në Hendboll për femra “Shqiponja”, pjesëmarrje e Klubit të Hendbollit “Shqiponja” në garat ndërkombëtare, Garat e kërcimit nga ura e Fshejtë, shënimi i 90 vjetorit të themelimit të Klubit të Futbollit “Vëllaznimi” si dhe subvencionimi i dy klubeve të reja që po i rikthehen sportit gjakovar, Klubit të Volejbollit “Vëllaznimi” dhe Klubit të Futbollit dushkajas “Dukagjini”.

Në këtë takim është shqyrtuar edhe raporti i të hyrave për muajin janar, me ç’rast drejtori i drejtorisë për Buxhet dhe Financa Teki Shala ka bërë të ditur se gjatë muajit të parë të vitit 2017 nga të hyrat janë siguruar rreth 132 mijë euro.

Në pikat tjera të rendit të ditës, bordi ka shqyrtuar edhe një sërë kërkesash tjera, shumica prej të cilave kanë qenë kërkesa për subvencionim, me theks të veçantë kërkesa për subvencionim të botimeve të ndryshme. Ndonëse të gjitha këto kërkesa janë përkrahur në bazë të kapaciteteve dhe mundësive financiare të komunës, kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila ka shprehur pakënaqësinë e saj me neglizhencën totale që institucionet qendrore po ia bëjnë jetës kulturore e akademike në komunën e Gjakovës, duke mos përkrahur asnjë aktivitet të këtij lloji, por përkundrazi duke bërë që tërë barrën ta mbajë komuna, e cila edhe ashtu është në gjendje tejet të rëndë financiare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat