Fshati i lotëve - Bota Sot
Fshati i lotëve

Gjakova

E enjte, 15 nëntor 2018

Fshati i lotëve

Më: 28 prill 2018 Në ora: 09:51
Pamje nga video

Hydajete Binakaj nga fshati Korenicë që gjendet në rrethinë të Gjakovës nuk e ka parë burrin e saj Selman Binakaj që nga data 27 prill të vitit 1999. Në këtë ditë ka ndodhur masakra e Mejës ku u vranë 376 persona.

“Burri im është i pagjetur. Krejt të fshatit janë gjetur, vetëm burri im dhe një komshi këtu”, ka treguar ajo.

Binakaj, thotë se nuk mund ta paramendojë ditën e 27 prillit. Ajo thotë se atë ditë e tërë familja ishin në shtëpi, në momentin kur forcat serbe hynë brenda.

“Me 27 prill 1999 ka qenë tmerr. Unë nuk mund ta paramendoj atë ditë, shumë tmerrohem. Kemi qenë gjithë familja këtu, në këtë vend ku po rrimë. Kanë hyrë brenda (policët serbë). Burri, kunati, pleqtë i kam pas dy vjehrrit, kunata me fëmijë edhe na kanë dëbuar. Shpejt, shpejt jashtë! Në atë gjuhën e tyre, nuk kam gojë me e fol atë gjuhën e tyre.”

Momentin e ndarjes nga burri i saj, Hydajete Binakaj e përshkruan me shumë emocione dhe me lot në sy. Ajo tregon se burri i saj mbante në krahë djalin e tyre, i cili është me të meta mentale.

Hydajetja është nënë e tre fëmijëve, dy djem binjakë dhe një vajzë. Njërin djalë e ka në institutin psikiatrik në Shtime. Djali tjetër që cili jeton me të ka probleme me dëgjim. Vajza 20 vjeçare është studente.

Ajo përballet me shumë vështirësi financiare, të dy fëmijët dhe veten e saj i mban me pension të burrit të saj të pagjetur, i cili është 170 euro.

“Unë e mbaj familjen. Unë as nuk jam në punë. Me 170 të burrit që i marrin të gjithë për martirë, i marr edhe unë”.

Selim Zymberi nga fshati Molliq i komunës së Gjakovës, ka humbur 4 pjesëtarë të familjes së tij, ndër ta edhe djalin e tij 17 vjeç, Arbërin.

Zymberi thotë se djali i tij, Arbëri ishte në vitin e tretë të shkollës së mesme. Ai është vrarë 3 ditë pasi kishte mbushur 17 vjet.

Ditën kur ka ndodhur masakra, Selim Zymberi tregon se djali i tij Arbëri nuk ka qenë me të, pasi që ai kishte shkuar në fshatin Dobrosh në Komunë të Gjakovës me axhën e tij dhe djalin e axhës së tij gjithashtu edhe gjyshen. Ata menduan se kështu po strehoheshin nga forcat serbe dhe do të shpëtonin.

“Ngjarja e Mejës është njëra ndër ngjarjet më kobzeza për Kosovën. Motivet janë shumë të ndryshme se pse ka ndodhur ajo ngjarje pikërisht në Mejë. Koha e luftës ishte ajo që i deportonte njerëzit prej fshatrave të ndryshme dhe i grumbullonte në llogore të caktuara që zakonisht i konvenonte pushtetit (Serb). E ata njerëz gjithmonë kanë qenë si viktima të cilat do t’i shërbenin armikut për t’u hakmarrë ndaj njerëzve tanë të cilët ishin të pafajshëm dhe të paarmatosur”, thotë Zymberi.

Trupat e pajetë të katër pjesëtarëve të familjes Zymberi, janë gjetur dhe varrosur në vitin 2003.

Masakra e fshatit Mejë, që gjendet në rrethinë të komunës së Gjakovës ka ndodhur më 27 prill të vitit 1999. Në këtë masakër janë vrarë 376 persona.

Edhe pas 19 viteve të përfundimit të luftës në Kosovë konsiderohen se janë 1,658 persona të pagjetur, shumica prej tyre shqiptarë./Rel/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test