Dështon seanca në gjykimin e zyrtarëve të Policisë të akuzuar për lejet e armëve - Bota Sot
Dështon seanca në gjykimin e zyrtarëve të Policisë të akuzuar për lejet e armëve

Gjakova

E mërkurë, 26 shtator 2018

Dështon seanca në gjykimin e zyrtarëve të Policisë të akuzuar për lejet e armëve

Më: 24 maj 2018 Në ora: 17:09
Pamje nga gjykimi

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë dështoi të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor kundër të akuzuarve për veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Të akuzuarit në këtë çështje janë Hamëz Bibaj dhe Mirsad Rexha.

Paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarit Mirsad Rexha, avokati Myhedin Bekeri, deklaroi se dëshiron ta njoftojë Gjykatën se me të mbrojturin e tij ishin dakorduar që me Prokurorinë të negociojnë marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Shkak i mosmbajtjes së kësaj seance ishte mungesa e të dëmtuarve të cilët ishin thirrur në cilësinë e dëshmitarëve: Sokol Neziri, Sezai Hamza dhe Dardan Nurshaba. Ata nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre.

Të pranishëm nuk ishin as dëshmitarët Kabir Shtavica dhe Destan Jupa.

Kjo seancë ishte caktuar për dy ditë radhazi me datë 24 dhe 25 maj.

Pasi që nuk kishte kushte për mbajtjen e kësaj seance, prokurori Agron Matjani i propozoi Gjykatës që seanca të vazhdojë nesër pasi që e njëjta ishte caktuar për dy ditë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hamëz Bibaj, avokati Sahit Bibaj, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Mirsad Rexha, avokati Myhedin Bekeri, deklaruan se nuk e kundërshtojnë propozimin e prokurorit të çështjes.

Pasi që aprovoi propozimin e prokurorit që seancë të mbahet nesër, gjyqtari Nikollë Komani lëshoi urdhëresë që nga stacioni policor në Rahovec të njoftohen dhe të sillen në Gjykatë Sokol Neziri, Sezai Hamza, Kabir Shtavica, Destan Jupa dhe Dardan Nurshaba.

Sipas aktakuzës, Hamëz Bibaj nga dhjetori i vitit 2016 e gjerë në muajin korrik të vitit 2017, në cilësinë e personit zyrtar ka punuar në zyrën për legalizimin e armëve pranë stacionit policor në Rahovec dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm kandidatëve që kanë aplikuar për t’u pajisur për leje të armëve u ka kërkuar shuma të parave.

Me këto veprime dyshohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa i akuzuari Mirsad Rexha sipas aktakuzës në kohën dhe vendin e njëjtë, si mirëmbajtësi i objektit për stacionin policor në Rahovec, me dashje ka ndihmuar të akuzuarin Hamëz Bibaj, në atë mënyrë që ka qenë i angazhuar nga komandanti i stacionit policor për futjen e të dhënave në database për aplikuesit e armëve dhe ka kërkuar para së bashku me të akuzuarin e parë.

Me këto veprime dyshohet se ka kryer veprën penale në ndihmë të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test