Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për tentim vrasje ndaj personit zyrtar - Bota Sot
Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për tentim vrasje ndaj personit zyrtar

Gjakova

E mërkurë, 21 nëntor 2018

Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për tentim vrasje ndaj personit zyrtar

Më: 7 qershor 2018 Në ora: 16:08
Pamje nga gjykimi

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar që të dyshuarit për tentim vrasje, Mentor Gola, t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Një kërkesë të tillë, e ka paraqitur kryeprokurori Ali Selimaj, në seancën përgatitore, e cila është mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

“Kërkesën e bëjmë për shkak se me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku që i njëjti mund të arratiset nga Kosova apo të fshihet brenda territorit të Kosovës, meqenëse i njëjti është i vetëdijshëm se po që se provohet fajësia e tij ndaj të njëjtit kanoset një dënim i lart i burgimit, andaj mund të jetë i paarritshëm për organet e ndjekjes. Gjithashtu këtë kërkesë e bëjmë për arsye se raporti në mes të pandehurit Mentor Gola dhe të dëmtuarit Lorik Lipoveci dhe familjeve të tyre për momentin është i acaruar”, ka thënë kryeprokurori Selimaj.

Mirëpo, një kërkesë të tillë e ka kundërshtuar mbrojtësja e Golës, avokatja Blerina Kurtaj.

“Sa i përket kërkesës për caktimin e paraburgimit, e kundërshtoj në tërësi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, pasi që nuk është gjetur në mënyrë të qartë se ekziston dyshimi i bazuar që i mbrojturi im të ketë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën inkriminohet”, ka thënë ajo.

Kurtaj ka thënë se klienti i saj, nuk është ndjekur asnjëherë penalisht për ndonjë vepër tjetër penale, si dhe ambienti e kushtet në të cilat jeton, nuk tregojnë se ekziston rreziku që ai të përsërit apo të përfundojë veprën penale.

“Andaj konsideroj se një masë altrenative me paraburgim siç është arresti shtëpiak, do të ishte masa adekuate për sigurimin e tij në procedurë”, ka thënë avokatja Kurtaj.

I pandehuri Mentor Gola, gjatë seancës përgatitore, i ka kërkuar falje familjes së të dëmtuarit, Lorik Lipoveci.

“I kërkoj falje familjes, nëse i kam bërë ndonjë të keqe. Po ashtu gjendjen shëndetësore nuk e kam mirë, jam në tension dhe sheqer në gjak dhe nuk më kujtohen veprimet e mi,a që i kam ndërmarr”, ka thënë i dyshuari Gola.

Policia rajonale e Gjakovës, të mërkurën, kishte ushtruar kallëzim penal, ndaj të dyshuarit për tentim vrasje, Mentor Gola.

Kallëzimit penal, i ka paraprirë ngjarja që ka ndodhur vetëm dy ditë më parë, e ku i dyshuari Gola, kishte shtënë me armë zjarri ndaj tani viktimës, Lorik Lipovecim, ka raportuar “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kallëzimit penal, që i referohet deklaratave të dy personave të përfshirë në këtë rast, ngjarja dyshohet se ka ndodhur si pasojë e largimit nga puna të bashkëshortes së tani të dyshuarit Gola nga Kompania Rajonale e Mbeturinave “Çabrati”, e që tani viktima Lipoveci, si sekretar në këtë kompani, kishte qenë i deleguar për ta përfaqësuar atë në rastet gjyqësore.

Lidhur me këtë largim nga puna, sipas deklaratave të tyre, që i referohet kallëzimi penal, bashkëshortja e tani viktimës, kishte ushtruar padi për kontest pune.

Rasti i tentim vrasjes, ka ndodhur të martën, rreth orës 20:00, ku siç thuhet në kallëzimin penal, Lorik Lipoveci, kishte pranuar një telefonatë ku personi i ishte prezantuar si Mentor Gola, ku ky i fundit e kishte pyetur atë se “ku je”.

Aty thuhet se pasi që Lipoveci, i kishte thënë se nuk po e njeh, i dyshuari Mentor Gola i kishte thënë se “do të më njohësh”.

“Pas 10 minutave rreth orës 20:10 i dyshuari Mentor Gola, kishte shkuar në shtëpinë e viktimës  dhe kishte trokitur në derën e hyrjes, ku i kishte dal gruaja e viktimës dhe fëmijët. Aty i dyshuari Mentor Gola kishte filluar duke shajt dhe ofenduar “ku është Loriki hë nanën ja q****” dhe fjalë të tjera kërcenuese. Pasi është paraqitur tek dera e hyrjes së shtëpisë së viktimës Lorik Lipoveci, ka shtënë me armë Mentor Gola”, thuhet ndër të tjerash në kallëzimin penal.

Njësiti policor, i është përgjigjur rastit menjëherë dhe me të arritur në vend të ngjarjes është takuar me viktimën Lorik Lipoveci, i cili siç thuhet në kallëzimin penal, ka deklaruar se personi i dyshuar Mentor Gola, kishte shtënë në drejtim të tij dhe më pas ishte larguar nga shtëpia e tani viktimës.

Në kallëzimin penal, thuhet se problemi kishte ardhur, sipas viktimës, se ishte sekretar i përgjithshëm në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Çabrati”, i autorizuar që të përfaqësojë kompaninë në të gjitha çështjet penale dhe bashkëshortja e të dyshuarit Mentor Gola, kishte ngritur padi civile për kontest pune ndaj KRM “Çabrati”, pasi që kishte qenë në marrëdhënie pune në atë kompani, raporton Betimiperdrejtesi.

Të dyshuarit Gola, pas arrestimit i ishte caktuar masa e ndalimit policor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test