Të rinjtë e Gjakovës bëhen me hapësirë të re për aftësim dhe edukim

Gjakova

Të rinjtë e Gjakovës bëhen me hapësirë të re për aftësim dhe edukim

Më: 30 korrik 2018 Në ora: 20:44
Në Pjetërshan të Gjakovës është vënë gurthemeli i Qendrës së edukimit jo-formal për rini, si një qendër rekreative për fëmijë dhe të rinjë.

Sot në Pjetërshan të Gjakovës është vënë gurthemeli i Qendrës së edukimit jo-formal për rini, si një qendër rekreative për fëmijë dhe të rinj, arritur sipas marrëveshjes në muajin maj, mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe OJQ “George Williams Youth Association in Kosovo” (GWY).

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, u shpreh se ndërtimi i qendrës të cilës iu vendos gurthemeli sot është një projekt kapital i cili do të ofrojë kushte të mira për zhvillimin e aktiviteteve të të rinjve dhe edukimin e tyre të mëtejmë.

Gashi: Ky gurthemel ka qenë një ëndërr e gjithë neve gjeneratave të kaluara

“Ky gurthemel ka qenë një ëndërr e gjithë neve gjeneratave të kaluara. Kosova duhet të ketë një qendër nacionale të edukimit joformal, por asnjëherë nuk kemi arritur këtë deri sa janë bashkuar shume forca, palë, njerëz e mbi të gjitha persona të vullnetit të mirë”, ka thënë ministri Gashi.

Për më tepër ai ka siguruar se bashkëpunimi i MKRS-së me organizata dhe partnerë në aftësimin dhe edukimin e të rinjve do të jetë maksimal.

Gashi: Pjetërshani po bëhet Amerikë e vogël brenda Kosovës

“Pjetërshani po bëhet Amerikë e vogël brenda Kosovës në këtë kamp. Falënderoj banorët që kanë pranuar një kamp të tillë në hapësira të Pjetërshanit. Projekti është i ndarë në dy faza, objekti që do bëhet këtu dhe implementimi i programeve”, tha ministri Gashi.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjakovës, Adrian Gjini, shpreson që kampi do të ekzistojë për ndërtimin e solidaritetit mes njerëzve.

Gjini: Vitin e ardhshëm do t’i kemi të gjitha gati

“Komuna ka marrë përsipër të ndërtojë rrugën deri këtu, jemi marrë vesh që rruga të ndërtohet pas mbarimit të ndërtimit të objektit dhe është buxhetuar për vitin tjetër dhe shpresoj se vitin e ardhshëm do t’i kemi të gjitha gati”, tha ai.

Presidenti i Bordit të Drejtorëve të organizatës YMCA, Petrit Bejdoni falënderoi të gjithë bashkëpunëtoret, të cilët ndihmuan për implementimin e këtij projekti për qendrën e të rinjve që komuna e Gjakovës tani do ta ketë.

Bejdoni: Është një ditë shumë historike për ne

“Është një ditë shumë historike për ne që kemi qenë pjesë e imagjinatës të këtij vendi, dizajnimit dhe e gjithë planit të kësaj qendre. Besoj që jemi duke bërë një hap përpara me ju dhe falënderimi i shkon Ministrisë së Kulturës si financues kryesor të kësaj qendre me mbështetje të YMCA në SHBA dhe Finlande, dhe Komunës së Gjakovës gjithashtu”, tha Bejdoni.

Ndryshe, për ndërtimin e kësaj qendre parashihet që MKRS-ja të investojë 150 mijë euro. Kampi do të jetë i një modeli amerikan duke e sjellë edhe përvojën amerikane në Kosovë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat