Gjykata Themelore në Gjakovë e aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Pjetër Nrecaj, pasi që “ky pranim është bërë në mënyrë vullnetare”.
Në seancën e sotme, Nrecaj e pranoi fajësinë për vrasjen e gruas dhe vajzës në fshatin Brekoc të Gjakovës në gusht të këtij viti dhe u pendua për këtë akt.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, ai tha se vajzën e ka vrarë “aksidentalisht”.
Në seancën e cila zgjati pak më shumë se një orë, prokurori i rastit, Agron Matjani, kërkoi nga gjykata që ndaj të akuzuarit për vrasje të dyfishtë “të jepet një vendim i bazuar në ligj”.
Shqyrtimi fillestar përfundoi ndërsa shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 2 nëntor.
Nrecaj u soll i prangosur në seancën në të cilën avokatja e tij dhe prokurori i rastit thanë se kjo marrëveshje nuk është arritur për shkaqe procedurale.
Pjetër Nrecaj akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”, pasi që dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten dhe vajzën e tij 9 vjeçare.