Prokurori i Gjakovës hetohet për kërcënim të gruas së vëllait

Gjakova

Prokurori i Gjakovës hetohet për kërcënim të gruas së vëllait

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 15:37
Agron Matjani, prokuror i Prokurorisë Themelore në Gjakovë

Agron Matjani, prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, po hetohet nga Policia e Kosovës për një kanosje që dyshohet t’i ketë bërë gruas së vëllait të tij (Ali Matjanit), të dëmtuarës S.M.

Rasti është raportuar se ka ndodhur në javën e parë të nëntorit në Prizren, ditën kur ishte mbajtur një seancë gjyqësore në të cilën prokurori Matjani e kishte përfaqësuar vëllain e tij, i cili ishte palë në këtë çështje.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale në Prizren, Vesel Gashi, konfirmoi këtë rast.

“Kemi një rast ndaj të dyshuarit Agron Matjani, rasti është duke u cilësuar si kanosje, rasti është i paraqitur nga e dëmtuara S.M, dhe është duke u punuar nga zyrtarët hetues. Jemi në fazën e grumbullimit të informatave dhe është marrë në pyetje e dëmtuara dhe paraqitësja e rastit, si dhe janë marrë në pyetje dëshmitarët e mundshëm,  dhe se rasti është pranë finalizimit”, tha zëdhënësi Gashi.

Ai tha se “për pak ditë” do te shikohet nëse ka prova të mjaftueshme për të dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit.

Në Prokurorinë e Prizrenit kanë thënë se nuk kanë pranuar ende një kallëzim penal për këtë rast.

“Për rastin në fjalë ende nuk kemi pranuar një kallëzim penal, mirëpo me të arritur kallëzimi penal nga ana e Policisë së Kosovës, prokurori i rastit do t’i ndërmarrë hapat konkretë konfrom dispozitave ligjore për vlerësimin e kallëzimit penal në rastin në fjalë. Pra varësisht nga provat dhe rrethanat do të vlerësojmë kallëzimin penal, dhe konform dispozitave ligjore prokurori i cili do të merret me çështjen do të ndërmarrë veprimet procedurale sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale”, tha Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala.

Prokurori Agron Matjani, i kontaktuar nga kallxo deklaroi mohoi të ketë ndonjë të të vërtetë në këtë denoncim.

“Nuk ka asgjë të vërtetë dhe të vërtetuar nga ai rast. Personi që e ka paraqitur rastin vetëm ka shpifur, dhe ka dashur që të dëmtojë integritetin dhe personalitetin tim”, tha Prokurori Matjani.

“Personi që e ka paraqitur rastin tashmë është larguar dhe ka shkuar të vazhdojë jetën në Amerikë, pasi që as që i intereson se çfarë po ndodh këtu, pra vetëm ka dashur që të më dëmtojë mua si person duke e paraqitur rastin në Polici”, tha ai duke iu referuar kunatës së tij e cila ka shtetësi amerikane.

“Konsideroj që rasti do të mbyllet pasi që nuk ka as prova dhe as fakte se e kam kanosur me ndonjë fjalë, gjë që nuk ka ndodhur në asnjë moment. Pra janë vetëm shpifje”, tha ai.

Matjani tha se nuk kishte bërë kurrfarë shkeljeje të etikës profesionale të avokatit kur ishte paraqitur në një seancë civile në gjykatë për të vëllain e tij.

“Unë kam prezantuar me autorizim, nuk paraqet shkelje etike, sepse mund të paraqitem në emër të vëllait i cili nuk ishte prezent. Pra unë mund të paraqitem me autorizim përderisa ka qenë procedurë jo-kontestimore, pra ndarje fizike dhe nuk ka qenë procedurë e rregullt civile-kontestimore”, tha ai.

Ndërsa kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, tha se nuk është në dijeni për këtë rast.

“Aspak nuk kam njohuri për rastin në fjalë, nuk kam ndonjë njoftim me shkrim nga ana e Policisë Rajonale Prizren për rastin e hapur ndaj Prokurorit Agron Matjani, edhe pse është dashur të njoftohem për rastin konkret”, tha kryeprokurori Selimaj.

“Çdokush mund të paraqesë në Polici rast ndaj secilit, por unë nuk kam përgjigje për rastin në fjalë pasi që siç thash nuk di aspak se për çfarë rasti bëhet fjalë”, shtoi ai.

Selimaj gjithashtu nuk dha përgjigje nëse pjesëmarrja e prokurorit në një seancë civile paraqet shkelje të etikës profesionale.

“Unë nuk jam ndonjë ekspert dhe njohës i shkeljeve të etikës, për këtë jep vlerësim tjetër organ, ndërsa unë nuk kam njohuri as për atë që Prokurori Agron Matjani paska prezantuar në një seancë të natyrës jo-kontestimore”, tha Selimaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat