E kemi obligim kombëtar, të sillemi sa më mirë, në mënyrë që të bëjmë sa më shumë miq

Gjermania

E kemi obligim kombëtar, të sillemi sa më mirë, në mënyrë që të bëjmë sa më shumë miq

Më: 30 korrik 2016 Në ora: 17:21
Me rastin e festës sonë komnëtare 2016

Flet për "Bota sot", mësuesja, poetja e intelektualja shqiptare në mërgim z. Miradije Gashi

 

Miradije Gashi, tashmë emër i njohur dhe i respektuar në mërgim (Gjermani). 

Ajo, krahas veprimtarisë arsimore, merret dhe me krijimtari letrare. Është autore e disa librave me poezi për të rritur, si:

"Jam guri i vendit tim", " Yjet e deshtën dritën tënde", " Gjuha e truallit" etj.

Miradije Gashi, lexuesit e shumtë që i bëri për vete, janë të moshave dhe brezave të ndryshëm. Krijimet e veta në poezi dhe prozë, Gashi, arriti t'i botojë në shtypin shqiptar, si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. 

Ajo, gjithashtu është prezantuar me poezi dhe në disa Antologji, si në: "Busulla e shpirtit", "Kështjella e ëndrrave", "Trinomi i Lirisë", "Një shekull drite", "Korse e hapur" etj.

 

Bota sot: Ju kujtohet, cili ka qenë krijimi i juaj i parë letrar?

 

Miradije Gashi: Para se të flasë për krijimin tim të parë letrar, unë do të ndalesha pak në rrethanat shoqërore e historike të asaj kohe. Isha vetëm 14 vjeq kur u regjistrova në shkollën e mesme Pedagogjike në Prishtinë. Më kujtohet fare mirë kur Kuvendi Komunal i Drenasit (ish Gllogovcit), më ndau një burs për t'i përballuar shpenzimet e shkollimit dhe të konviktit. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë, gëzimin që ndjeva atë ditë. E thashë, isha vetëm 14 vjeq, dhe s'më kishte rastisur të dilja jashtë pragut të shtëpidsë, siç thuhet, për shkak të rrethanave patriarkale të asaj kohe. Ishte hera e parë që largohesha nga shtëpia, që shkoja në Prishtinë.

Dy muaj më pas, nga malli që kisha për vendlindjen time, shkrova prozën e parë: "Larg vendlindjes". Ky ishte dhe krijmi im i parë.

 

Bota sot: Po pas mbarimit të Shkollës së Lartë  Pedagogjike...?

 

Miradije Gashi:Menjëherë pas diplomimit në Shkollën e Lartë Pedagogjike,  u punësova në shkollën Fillore " Emin Duraku" në fshatin tim të lindjes, Arllat, si arsimtare e grupit klasor.

 

Bota sot: Por ç'ndodhi pastaj?

 

Miradije Gashi: Nuk kaloi shumë kohë dhe për fat të keq, situata politike filloi të përkeqësohet. Pushtuesi serb i asaj kohe, filloi të udhëheq një politikë brutale dhe të egër ndaj shqiptarëve, sidomos ndaj arsimit shqip. Kështu që unë dhe disa kolegë të mi, u vumë në shënjestër të pushtetit serb. Dhe si rezultat i kësaj, na larguan nga procesi edukativo-arsimor.

 

Bota sot: Ju serish vazhduat me studimet?

 

Miradije Gashi:Edhe përkundër rrethanave mjaft të vështira politike, (për shkak të politikës antishqiptare të Serbisë), në njerën anë, dhe të kushteve të vështira ekonomike, në anën tjetër, unë, duke qenë se kisha një pasion të flaktë për shkollim,pos diplomimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike, arrita të regjisitrohem edhe në Universitetin e Prishtinës, dega e Pedagogjisë. Këtë herë, babai im, qe iniciatori e financuesi, i cili nuk kurseu asgjë për shkollimin tim permanent. 

Studimet i mbarova në kohë rekord dhe me sukses.

 

Bota sot:Ç'angazhime, kishit atë kohë kur pushtuesit serb i mbyllën shkollat shqipe?

 

Miradije Gashi:Unë, si pedagoge, nuk mund të qëndroja duarkryq, sepse ngjarjet që ndodhen në atë kohë, ishin skajshmërisht brutale, por njëherësh dhe vendimtare për ne shqiptarët e Kosovës. Kjo ishte një sfidë. Sfidë, që me çdo kusht çdo shqiptar i arsimuar, duhej të përballej. Sepse, ikja nga një realitet i hidhur, sado i egër, diskriminues e brutal që ishte, do të ishte fatale për ne shqiptarët. Nuk kishte rrugëdalje tjetër. S'kishte alternativë. Kështu që edhe unë u angazhova, duke u pozicionuar në anën e popullit tim të diskriminuar. Pra, u zgjodha anëtare e Kryesisë së Lidhjes së Arsimit Shqiptar në Republikën e Kosovës. E njëherësh dhe anëtare e Forumit të Intelektualëve të Kosovës. Mirëpo, për shkak të veprimtarisë time patriotike e atdhedashëse, edhe më tutje unë isha në vëzhgim të pushtetit serb. Kështu që nuk kaloi shumë kohë dhe pushtuesi serb ndërmori një varg masash drastike ndaj meje. Policia serbe më ndaloi disa herë, duke më konfiskuar materialin arsimor. Më morën disa herë në pyetje; më kaqetrajtuan e më burgosën disa herë. Por nuk pushova së vepruari, edhe përkundër masave represive që ndërmorrën ndaj meje.

 

Bota sot:Vallë, këto ishin rrethanat që ju shtynë të emigroni në Gjermani? 

 

Miradije Gashi: Ashtu është. Torturat e vazhdueshme që ushtronin organet e sigurimit shtetëror serb ndaj meje, u bënë të padurueshme, kështu që në vitin 1993, u detyrova ta braktisja Kosovën dhe të emigroj në Gjermani.

 

Bota sot:Në Gjermani, keni arritur të specializoni në fushën e pedagogjisë?

 

Miradije Gashi: Në Gjermani, kam arritur të bëj një ndryshim, nga Pedagogjia arsimore, të kaloj në Pedagogjinë Sociale, (Sizialpedagogin dhe Schulretin) menagjim.

 

 

Bota sot: Ka kohë që jetoni në Gjermani, çfarë mund të thoni për jetën aty, dhe çfarë ndihme ju ka ofruar shteti gjerman?

 

 

Miradije Gashi: Aktualisht, më së shumti shqiptarë ka në Gjermani. Shkaqet pse erdhën këtu, janë fare të qarta. Kushtet e vështira ekonomike, si dhe diskriminimi i vazhdueshëm nga pushtuesi serb, bënë që shqiptarët t'i lënë trojet e veta dhe të vendosen në shtetet perëndimore, ku mirëqenia është mjaft e lartë. Dhe shtetit gjerman, duhet cekur, i priti miqësisht shqiptarët, sepse siç dihet, shqiptarët janë një popull mjaft vital dhe i zgjuar, që di të përshtatet shumë lehtë edhe në një shtet siç është Gjermania. Dhe tani pa problem, të rinjtë tanë studjojnë e shkollohen krahas atyre gjermanë.

 

Bota sot: Ju,  ka kohë që punoni-mëusuese e mësimit plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët e bashkëatdhetarëve tanë?

 

Miradije Gashi: Para se të filloja të ushtroja profesionin e mëseses me fëmijët shqiptarë, unë kam mbajtur kurse dhe ligjerata nga gjuha shqipe, jo vetëm për gjermanët, por edhe pë të ata që interesoheshin ta mësojnë gjuhën tonë shqipe. Në fillim, në qytetin e Schwarzwaldit, përkatësisht, në Shkollën e Lartë të Nacionaliteteve (VHS) në Villingen - Schweningen.

Pastaj u vendosa në Stuttgart, ku vazhdoj të zhvilloj mësimin plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët e bashkëatdhetarëve tanë, gati falas, me të vetmin motivacion: t'u ndihmoj fëmijëve shqiptarë që ta ruajnë gjuhën tonë shqipe, sepse në të kundërtën, ka rrezik të zhduket.

 

Bota sot: Ju merreni edhe me shkrime, merreni me poezi apo prozë?

 

Miradije Gashi:Krahas veprimtarisë arsimore, unë merrem dhe me krijimtare letrare. Shkruaj poezi dhe prozë, por njëherësh trajtoj dhe tema të ndryshme nga fushën e pedagogjisë.

 

Bota sot: Në librat tuaj me poezi, ç'tema keni trajtuar?

 

Miradije Gashi: Në librin tim të parë: "Jam gur i vendit tim", kreun e vendit, zënë vargjet patritiotike.

Në librin e dytë: " Dhe yjet deshtën dritën tënde", flet për njeriun e dashur (motrën). Pra, i kushtohet motrës time të ndjerë. Aty gjeni një luzmë vargjesh, si në tufë lulesh, të latuara artistikisht me shumë dhembje e kujdesë për motrën time të humbur. 

Ndërsa libri i tretë: "Gjuha e truallit", trajton temën për gjuhën shqipe në mërgim.

 

Bota sot:Çka presin lexuesit nga ju në të ardhmen? Ç'shkruani tani?

 

Miradije Gashi: Në dorëshkrim i kam dhe tri vëllime me poezi, (një për dëshmorët e kombit), si dhe një roman. Romani im i parë.

 

Bota sot: Sa keni arritur të bëni miq në një vend si Gjermania, ku gjithçka ndryshon nga vendi ynë?

 

Miradije Gashi: Me punë, mirësjellje dhe kulturë, miq gjen kudo që të gjendesh. Tani për tani shqiptarët e Kosovës, janë shembull për të mirë në Gjermani.

Ne, fundja, e kemi obligim kombëtar, të sillemi sa më mirë, në mënyrë që të bëjmë sa më shumë miq. Dhe kjo natyrisht arrihet vetëm përmes arsimimit. Sepse arsimimi, është rruga e vetme që na shpie përpara, e njëherësh dhe mënyra e vetme për të ecur krah për krah me popujt tjerë që kanë nivel të lartë të civilizimit. Dhe kjo aftësi, shqiptarëve nuk ua mungon. 

 

Bota sot: Cilat janë kontaktet tuaja me vendlindjen?

 

Miradije Gashi:Me vendlindjen, jam e lidhur shpirtërisht gjatë gjithë kohës. Sepse me të afërmit e mi, komunikoj pothuajse, çdo ditë. Ndërsa ne Prishtinë, udhëtoj dy herë në vit. Gjithë qenia ime është atje. Ajo është universi im, për të cilin jap gjithçka që më takon. Sepse vetëm duke qenë ajo që jam, do të jem e lumtur. Çdo gjë tjetër, është e huaj për mua.

 

Bota sot: Si e kaloni kohën e lirë?

 

Miradije Gashi: Shkruaj vazhdimisht.

 

Bota sot:Po të kishit mundësinë të zgjidhni, ku do të kishit jetuar?

 

Miradije Gashi: Kuptohet...

 

Faleminderit për intervistën!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat