Hapet për herë të parë Shkolla Shqipe në Frechen/Këln

Gjermania

Hapet për herë të parë Shkolla Shqipe në Frechen/Këln

Nga: Etleva Mançe Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 00:05
Shkolla shqipe në Frechen/Këln

Kush mendon se gjuha e nënës i pengon fëmijët të mësojnë gjuhën e vendit ku ata jetojnë, e ka gabim. Është vërtetuar edhe shkencërisht se ata fëmijë që flasim mirë gjuhën e nënës e kanë shumë më të lehtë të mësojnë edhe një, dy apo tri gjuhë të huaja. Dhe këtë më shumë se kushdo tjetër e dinë ata që kanë lindur apo ardhur të vegjël në Gjermani dhe sot janë prindër, të cilët kanë gjetur vendin e caktuar në shoqërinë gjermane, janë integruar dhe ndjehen komodë në këtë shoqëri shumë kulturore dhe shumë gjuhësore.

"Për fëmijët e Frechenit filloi një etapë e re, ata tashmë kanë në qytetin e tyre Shkollën Shqipe. Ishte një surprizë jo vetëm nga numri i nxënësve por edhe nga interesimi i komunitetit shqiptar në Frechen që gjuha, kultura, traditat shqiptare t`i përcjellin tek fëmijët e tyre.“ – thotë mësuesja e Shkollës Shqipe Etleva Mançe.

Kjo iniciative nisi shumë thjeshtë, kur Shkelzen Kosumi erdhi të jetonte në Frechen dhe kërkoi shkollë shqipe për fëmijët e tij. Ja çfarë tregon ai, -  "Unë kam ardhur i vogël në Gjermani dhe kam frekuentuar Shkollën Shqipe, më erdhi çudi kur dëgjova që këtu nuk ka Shkollë Shqipe. Fillova të kontaktoj me familjet shqiptare Rafuna, Kalludra, Neziraj, Hamiti, Rama, Krasniqi etj. dhe të gjithë bashkë të interesohemi. Përpiluam listat, ju drejtuam institucioneve gjermane, dhe më në fund ja dolëm mbanë. Askush nuk e besonte që do të hapej Shkolla Shqipe në Frechen. Disa herë përpjekjet kishin shkuar bosh nga komuniteti shqiptar këtu. Por besoj se tash, edhe ata që nuk i regjistruan fëmijët që në fillim, tani do t`i sjellin në shkollën shqipe.”

Iniciativa dhe këmbëngulja e komunitetit të Frechenit është për t`u marrë shembull. Urime, suksese dhe durim nxënësve të Shkollës Shqipe në përvetësimin e gjuhës shqipe, njohjen e traditave dhe kulturës shqiptare.

Për mbi të gjitha kjo përkon me 9 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe me Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës së Nënës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat