Dora D’Istria - monumenti historik i femrës në diasporë

Gjermania

Dora D’Istria - monumenti historik i femrës në diasporë

Nga: Mimoza Cika - Këln Më: 2 prill 2017 Në ora: 11:06
Dora D’Istria

Elena Gjika ose siç njihet ndryshe me pseudonimin letrar Dora D’Istria është personaliteti më i lartë i kulturës europiane të shekullit XIX. Ajo është ikona që simbolizon fuqinë e jashtëzakonshme të mendimit, kulturën e pashoqe dhe angazhimin e jashtëzakonshëm për të afruar Lindjen europiane me Perëndimin dhe për t’i dhënë femrës vendin e merituar në shoqëri.

Ajo rrjedh nga familja e Gjikajve të famshëm të cilët krijuan Rumaninë moderne dhe qeverisën Vllahinë në shekujt XVII XVII. Lindi në Bukuresht më 22 janar 1828. Rrjedh nga një familje princërish me origjinë shqiptare që ajo e përmend në çdo rast, të cilët ishin larguar nga viset shqiptare që në shekullin XVII. Nëna e saj, Katerina, ishte greke dhe njihet si përkthyesja e parë në gjuhën rumune. Sot grekët, shqiptarët dhe rumunët ndihen të identifikuar të kjo femër e jashtëzakonshme. Ndërsa ajo vetë e ndiente veten europiane dhe e pranonte që ishte bijë shqiptarësh.

Është pranuar nga të gjithë se Dora D’Istria ishte një nga personalitetet më të shquara europiane të shekullit XIX. Me një formim të jashtëzakonshëm, që në moshë fare të njomë ajo shfaq aftësi intelektuale të rralla. Në moshën 15-vjeçare përkthen nga greqishtja e vjetër « Iliadën ». Martohet në muajin shkurt 1849 me princin rus Aleksandër Koltzolf, Massalsky që ishte pinjoll i familjes së carëve të Rusisë, jashtëzakonisht i pasur. Vendoset në Shën Petërburg, por i shoqi vdes dhe pas shtatë vjetësh, e braktis Petërburgun dhe vendos që të mos martohet kurrë. Tani ajo udhëton nëpër Europë dhe vendoset në Belgjikë, në Zvicër, në Itali, ndërmerr udhëtime kudo nëpër Europë dhe nis kështu karriera e një prej shkrimtareve, studiuseve dhe personaliteteve më të mëdha të Europës. Zotëronte nëntë gjuhë të huaja dhe kishte një kulturë të paimagjinueshme për kohën e saj, por edhe për kohën tonë. Kur ajo ishte vetëm 35 vjeçe, në Paris botohet një monografi kushtuar asaj me okelion « PROFILS  CONTEMPORAINS - Mme LA COMTESSE DORA D’ISTRIA » (Profile bashkëkohore – Kontesha Dora d’Istria », shkruar nga Armand Pommier dhe shoqëruar me një portret të shkëlqyer që është një gravurë angleze sipas Skiavonit që ndodhet në Venecia.. Ndërkaq një tjetër dijetar i shquar i kohës, Bartolemeo Cecchetti, pasi ka përkthyer në italisht veprën e saj « Gli Albanesi in Rumenia » (Shqiptarët në Rumani), harton një parathënie dhe të parën bibliografi të veprave të saj të ndarë sipas tematikave. Jemi në vitin 1873.

Dora D’Istria ishte 45 vjeçe dhe vini re se çfarë kishte botuar. Kjo bibliografi që autori boton në këtë libër publikohet për herë të pestë dhe ai e ndan në këta krerë : pjesa e parë- Histori letrare-ku përfshihen veprat e saj : Literatura rumune dhe ato për nacionalitetin shqiptar, rumun, serb, bullgar, grek sipas këngëve popullore, por edhe studimi për poezinë popullore të magjarëve (hungarezëve) dhe të turqve orientalë. Në sythin e tretë të kësaj pjese përfshihen studimet indiane – epopeja indiane, vdekja e mbretit Dasarata, epopeja persiane. Më tej një studim për shkrimtarët shqiptarë të Italisë mesdhetare, pastaj letërsia rumune, historianët e letërsisë gjermane apo një tjetër studim me titullin « Marco Polo, Kristofor Kolomboja i Azisë ». Në pjesën e dytë përfshihen studimet e saj religjioze si « Jeta e manastireve në Kishën e Lindjes », « Rumania dhe kisha ortodokse », « Rumania dhe Papati », « Letër për një filozof të Athinës ». « Zoological Mythology », botuar në SHBA, Pjesa e tretë  janë veprat më çështje shoqërore ku dallohet sidomos « Des femmes par une femme » (Gratë e vështruara nga një grua – I.Y.), që ajo e botoi në Paris dhe Bruksel njëkohësisht dhe që u përkthye edhe në rusisht dhe në italisht me një apendiks thotë Ceccheti të prof. C.F. Cabba me titullin « La questione feminile e la principessa  Dora D’Istria » (Çështja e femrës dhe princesha Dora d’Istria), duke vijuar me « The woman question in Austria » (Çështja e gruas në Austri) e duke vijuar me « Les femmes fortes », (Gratë e forta) në Messager franco-americain (New York, 6 mars 1871 apo « The woman question in Germany » (Çështja e gruas në Gjermani).

Nga gjithë vepra e saj, studiuesit kanë veçuar sidomos « Les femmes par une femme ». Në këtë vepër ajo ka paraqitur në mënyrë të thellë e shkencore historinë e marrëdhëneive që kanë përcaktuar vendin e femrës në shoqëritë njerëzore. E pajisur me një kulturë të jashtëzakonshme ajo tregon se çdo shoqëri matet me vendin që i ka rezervuar femrës. Duke folur për fiset gjermanike ajo tregon se edhe në këta fise gruaja ishte një pronë për të cilën kujdesej babai dhe në mungesë të tij vëllai i madh. Por këto fise dalloheshin prej të tjerëve sepse kishin një pëlqim të veçantë për fjalën e femrës. Sa herë që ajo fliste ata e adhuronin si një sfinks. Kjo shenjë e lashtë paralajmëronte sipas saj një komb të virtytshëm që do të arrinte një progres dhe një qytetërim brilant. Dhe ashtu ndodhi vërtet.

Figura e Dora D’Istrias do të duhej të ishte objekt studimi dhe referimi për femrën europiane në tërësi. Ajo është modeli i femrës së përkushtuar ndaj dijes dhe kulturës, por edhe aksionit politik. Në vështrimin e saj Europa është një dhe, duke analizuar sidomos Kishën e Lindjes dhe atë të Perëndimit, ajo vëren se si njëra dhe tjetra kanë pasur ulje ngritjet e tyre, por në thelb ato kanë më shumë anë që i bashkojnë sesa i ndajnë. Duke u frymëzuar nga vitaliteti i kombeve të zhvilluara nordike anglosaksone apo gjermanike, ajo kërkon ta shkundë Europën e Lindjes nga plogështia që e kishte mbërthyer sidomos nën zgjedhën otomane dhe e nxit atë të ndjekë modelet e zhvillimit perëndimor. Në formimin e saj ajo ishte një demokrate liberale e bindur dhe kundërshtonte çdo formë të socializmit me elemente komuniste që po shfaqeshin në atë periudhë sidomos në Europën Perëndimore në Francë me socialistë si Furje apo Sen Simon dhe në Zvicër. Me një intuitë të jashtëzakonshme ajo parashikon se Rusia me natyrën e organizmit kombëtar dhe me nxitjen e adhurimit për shpirtin rus dhe identifikimin e Perëndisë me feudalin e pushtetshëm si dhe me nënshtrimin e ëmbël ndaj fatit të paravendosur, ishte një vend që do ta përqafonte shumë shpejt komunizmin. Modeli i organizimit politik dhe shoqëror është Zvicra, por edhe vendet nordike apo Amerika, sipas saj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat