SHKSH “Shqiponjat e Bayernit” organizon mësimin plotësues në gjuhën shqipe

Gjermania

SHKSH “Shqiponjat e Bayernit” organizon mësimin plotësues në gjuhën shqipe

Nga: Maxhun Smajli Më: 28 dhjetor 2017 Në ora: 19:41
Shoqata Kulturore Shqiptare “Shqiponjat e Bayernit”

Shoqata Kulturore Shqiptare “Shqiponjat e Bayernit”, në Eggenfelden, është ndër shoqatat më të reja në Gjermani. Kjo shoqatë, që me punën e saj ka filluar në qershor të këtij viti, numron 36 anëtarë të rregullt, të cilët drejtohen nga kryesia pesë anëtarëshe; Dr. Ibrahim Latifi, kryetar, Uran Statovci dhe Bahri Shyti, nënkryetar, Besim Arifi, sekretar dhe Avdi Arifi, arkatar. 

Anëtarësia e gjërë e shoqatës ka krijuar një Bord prej njëmbëdhjetë anëtarësh, të cilët mbikqyrin mbarëvajtjen e shoqatës dhe punën e anëtarëve të kryesisë, me të drejtë ndërhyrjeje deri në shkarkim. 

Kjo shoqatë, pak ditë më parë, mbajti mbledhjen e saj të radhës me katër pika të rendit të ditës; - Raportim pune gjashtë mujore, - Organizimi i Mësimit Plotësues në gjuhën shqipe, - Organizimi i shenimit festiv të Pavarësisë së Kosovës dhe -Propozime e sugjerime për mbarëvajtjen e shoqatës.

Mbledhjen e hapi nënkryetari i shoqatës, Uran Statovci, i cili dha një raport të pasur pune gjashtë mujore. Dr. Ibrahim Latifi, kryetar, foli për problemin e sigurimit të objektit të shoqatës. Problem ky, që po e përcjell shoqatën që nga themelimi, ku, sipas kryetarit, do e përcjellë edhe për një kohë të pa caktuar.

Për pikën e dytë të rendit të ditës, foli Maxhun Smajli, Anëtarë i Këshillit Organizativ për Mësim Plotësues në Gjuhën Shqipe për Republikën e Bayernit, njëherësh themelues dhe drejtues i Bibliotekës Popullore Shqiptare “Akademik Mark Krasniqi”, në Pilsting të Niederbayernit.

Maxhun Smajli, foli për hapat e parë të organizimit të Mësimit Plotësues në gjuhën shqipe dhe mbështetjën e Përfaqësive Konsulore e Diplomatike të Konsulatave të Përgjithshme të Shqipërisë dhe Kosovës në Munih. 

Të pranishmit e mirëpritën iniciativën për organizimin e Mësimit Plotësues në gjuhën shqipe. Salih Boletini, shprehi mbështetjen morale, materiale e fizike. Derisa, Idriz Deda, ofroi 50 evro për shkollën shqipe, edhe pse nuk ka fëmijë të moshave shkollore. 

Më pas, pjesmarrësit, anëtarë të ShKSh “Shqiponjat e Bayernit”, zgjodhën Këshillin e prindërve katër anëtarësh; Gani Arifi, Agron Gashi, Kadri Shabija dhe Milaim Spahija. Ndërsa, një vend i zbrazët mbeti për familjet shqiptare të Pfarkirchen-it me rrethinë. Pas emrimit të katër anëtarëve të Këshillit të prindërve, u bë edhe paraqitja dhe regjistrimi i 26  fëmijëve që vijojnë mësimin nga klasa e I-rë e deri në të IX-tën. 

Dhe, për fund; - Do theksuar se, ideator dhe inicues për themelimin e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Shqiponjat e Bayernit” dhe organizimin e Mësimit Plotsues në gjuhën shqipe është, krijuesi, Bahri Shyti. Ideja për organizimin e Mësimit Plotësues në gjuhën shqipe është dëshmia më e mirë se, bashkëshortët, Bahri dhe Miradie Shyti, edhe pse nuk kanë fëmijë nga martesa e tyre, i mundon fati i fëmijëve shqiptarë që jetojnë jasht atdheut. Pra, mendojnë për fëmijët e mergimtarëve shqiptarë si të ishin të tyre.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat