"Për një Evropë, shtëpi të përbashkët për të gjithë"

Gjermania

"Për një Evropë, shtëpi të përbashkët për të gjithë"

Nga: Astrit Zemaj Më: 22 shtator 2018 Në ora: 14:56
Astrit Zemaj

Te nderuar miq, 

Perderisa pjesën e parë dhe të dytë të debatit të sotëm, biseduam për gjendjen politike, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon, me lejoni që ti them edhe disa fjalë për rendësinë e finalizimit të integrimit të rajonit në BE.

Për të kuptuar më mirë rajonin (Ballkanin), ndoshta është mirë të filloj me një histori personale.

Unë kam lindur në një fshat në pjesën perëndimore të Republikës së Kosovës, zonë e cila shtrihët në regjionin e trekëndeshit Kosovë - Shqipëri - Mali i Zi. 

Shtëpia jonë ishte tradicionale,  e tipit "Kullë guri", banesë kjo me elemente autoktone shqiptare  dhe simbolikë e veçantë e rajonit të Dukagjinit, i cili gjendet në pjesën e poshtme të Bjeshkëve të Nemura. 

Kulla ishte ndertuar nga gjyshi i gjyshit tim, si një lloj fortifikate me mure të thella guri, e  që në këndet e saj kalonte permasat e nje metri. 

Gjyshi im shpesh herë tregonte kujtime nga femijëria, rinia por edhe pleqëria e tij, dhe jo të gjitha tregimet edhe pse shumë interesante, kanë qenë pozitive. Dhe ateherë pse ishin të tilla? 

Fatkeqësisht, si shumë shtëpi tjera të fshatit shtëpia jonë, (ku lindi stergjyshi, gjyshi, babai dhe unë),  u dëmtua rëndë nga lufta e fundit, dhe si pasoj është dashur të rrënohët në tersi disa vite pas luftës. 

Por kjo është temë të cilën dua ta kaloj, sepse nuk dua të ndalem tek dëmet materiale e luftës 1998/99, por qëllimi është te një pikë tjetër e cila ka të bej pikërisht me 100 vitet e fundit të kësaj pjese te Evropës dhe koha e rëndë në të cilën ka kaluar.
Perveç kësaj, personalisht mendoj se viteve të fundit, rajonit padrejtësisht i është dhenë një term i gabuar dhe shumë perjashtues, duke e quajtur "Ballkani Përendimor".

A nuk do të ishte mirë të quhej ashtu siç është Evropa Juglindore, që nenkupton një pjesë të Evropës në juglindje te saj dhe jo me ndonjë term të tillë izolues?

Mesazhi që duam të potencojmë është në faktin se historia e fshatit tim, ashtu edhe e krejt Kosovës, na obligojnë që ndaj kësaj pjese të Evropës duhët qenë më të kujdesëshem....

Nje ilustrim i perafërt se pse duhet pasur kujdes. 

Babai i gjyshit tim, ka lindur gjatë periudhës së pushtimit të Perandorisë Osmane dhe ai natyrisht se ka pasur dokumentacion të kohës nga administrata osmane. 

Për shkak të shtrirjes gjeografike, fshati im dhe regjione të tëra pas terheqjes së osmanëve në vitin 1912,  ranë nën pushtimin e Serbisë dhe Malit të Zi, dhe deri në themelimin e mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene, kanë pasur përseri dokumentacion tjetër, d.m.th të pushtuesve të rij.

Pastaj dokumentacion të SKS-së deri në ardhjen e  regjimeve tjera administrative të cilat gjatë periudhës së LDB-re 1939-1945 ishin italiane dhe gjermane. 

Nga 1945 deri me 1990, dokumentacion te Jugosllavisë Federative, e pastaj ato të Jugosllavisë së mbetur( Serbia e Mali i Zi) deri pas luftës së Kosovës 1999 të cilat u zëvendësuan me dokumentacion të administratës nderkombëtare të UNMIK-ut. 

Nga viti 2008, fatmirësisht më në fund i kemi pasaportat e Republikës së Kosovës së pavarur.

Ky është vetëm një pershkrim i shkurtë që brenda një shekulli, nga shpërberja e Perandorisë Osmane e deri të femijët tanë, nderruam përmbi 7-8 lloje të dokumentacionit. Pra brenda një qindvjeqari, dekada e parë e shekullit të shkuar deri në dekadën e parë të këtij që jemi, shtepia dhe as fshati ynë nuk kishte "levizur fizikisht nga vendi", por toka ku gjendet e kishte "fatin e tillë" për të nderruar nga një pushtues në tjetrin deri në pavarsinë e vendit me 2008. Kjo është perafërsisht edhe historia e Kosovës së pushtuar dhe nën regjime të huaja në 100 vitet e fundit.

Kjo është edhe njera nga argumentet e fuqishme që, ne, të gjithë se bashku kemi nevoj për integrim dhe avansim të prespektivës evropiane te rajonit,  dhe kjo paralelisht nënkupton që pèrmes kësaj të forcohët stabiliteti dhe siguria për vet Evropën. 

Një Evropë juglindore e trazuar, mendoj se me automatizëm derivon me një Bashkim Evropian jo stabil dhe të rrezikuar nga faktorët e mbrendshëm dhe sidomos ata të jashtëm.  

Prandaj nëse BE nuk arrin veproj me intenzitet dhe të bëjë përparim në procesin e antarsimit me vendet e rajonit tonë, ateherë jam plotësisht i bindur se në rajon do të ketë paknaqësi të shtuara. Perderisa skeptikët ndoshta mund të shkojnë edhe përtej kësaj, duke vlerësuar se situata do të pershkallëzohet negativisht dhe mund të ketë pasoja të tmerrshme. 

Jemi të vetëdijshëm  se përpos problemeve dhe sfidave tona te mbrendshme, fuqitë tjera janë shumë aktive për të fituar terren dhe për te zgjeruar influencën e tyre në ketë pjesë te Evropës, apo qoftë vetëm për ti bëre presion asaj përmes trazirave te reja në Ballkan.. 

Rusia në radhë të parë permës Serbisë dhe pjesës serbe në Bosnje e Hercegovinë,  pastaj Kina si faktor ekonomik me shtrirje merramendëse, si dhe vendet e Lindjes së Afërt dhe të Mesme të cilat së paku në 20 vitet e fundit gjithje tentojnë te jenë sa me prezent në ketë pjesë te Evropës.

Të gjitha këto, kanë vizion,  qëllime dhe ide krejtësisht tjera  për menyrën e jetesës dhe vlerave të civilizimit evropian.
Pra, integrimi i rajonit në BE krijon nje raport win-win për te gjithë, sepse jo vetëm ne kemi interes për Evropën, por edhe Evropa do të ishte me e fortë dhe do të kompletohët në terësinë e saj vetëm ateherë kur të gjitha vendet e mbetura të Evropës Juglindore apo siç quhët "Ballkanit Përendimor" të bëhen pjesë e saj. 

Natyrisht qe duhët të plotësojmë kushte dhe kritere të kerkuara, por të pritet pafundësisht, frigohëm se këtu mund te fitoj një palë krejtësisht tjetër dhe nese jo të gjithë, disa mund te marrin orientim të gabuar. 

Pritja pafundësisht, nenkupton defitizëm dhe jo prespektivë. Nënkupton jostabilitet dhe kriza të papritura. A nuk ishte kriza e refugjatëve në vitin 2015 një shembull konkret i paknaqësisë dhe pritjes së pafund? 

Ndoshta shumica prej juve prezent sot këtu, nuk e a ka të njohur që Kosova është i vetmi vend i rajonit që nuk e ka të lirë levizjen në zonën Shengen, d.m.th, pa viza.

Me ose pa qëllim rinisë në veçanti, dhe popullit të Kosovës i është mohuar kjo e drejtë. Pra ka ndodhë një "getoizim" klasik në kohët moderne.

Prandaj, rajonit tonë i duhët hapur rruga që shumë shpejtè të bëhët pjesë e pasaportës se përbashkët evropiane, si nje e mirë për të gjithë ne. 

Edhe një fakt tjetër është se,  "Fuqitë P?rendimore" duhët ta mbajnë premtimin e dhënë sidomos pas Luftës së Kosovës. 
Lufta ka  qenë një mësim për të gjithë. Prandaj mendoj se nuk është mirë dhe nuk  duhët të harrohët "Ballkani". Nëse kjo ndodh, atëherë do ta kemi gjendjen në pikën fillestare. Kjo do të ishte e paakceptueshme. Prandaj, duhët kuptuar qartë se vendet e këtij rajoni janë Evropë dhe duhët  sa më parë të integrohën ne Bashkimin Evropian. 

Si të tilla mendoj se duhët të trajtohën me seriozitetin me të lartë. 

Mjaft kemi kaluar sfida dhe vuajtje. Jemi në pritje se paku qe 100 vjet. 

Vetëm për rikujtim,  si perfundim po e persëris edhe njëherë tregimin nga kujtimet e femijërisë:  shtepia ime për 100 vite nuk ka lëvizur nga trolli ku është ngritur,  por pushtuesit dhe regjimet disa herë. Si pasoj e kësaj 8-9 herë popullit të Kosovës ju ndërrua dokumentacioni, dhe gjithmonë nderrimet nuk ishin të lehta. Në shumicën e rasteve u shoqëruan me vrasje, dëbime, terror dhe deri në shkallë gjenocidi (nga lufta 1998/99) ndaj popullit të Kosovës. Pasojat e saj po i vuajmë edhe sot....! 

Prandaj, nuk kemi kohë për të humbur. Vetëm se bashku mund ta ndertojmë një Evropë e cila do të ishte shtëpi e përbashkët për të gjithë. 

Faleminderit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat