Në shkollat e Gjilanit fillon kontrollimi sistematik i nxënësve

Gjilani

Në shkollat e Gjilanit fillon kontrollimi sistematik i nxënësve

Nga: B.S Më: 7 shkurt 2017 Në ora: 13:39
Foto ilustruese

Në shkollat fillore të komunës së Gjilanit, të martën ka nisur kontrollimi sistematik, projekt ky ku përfshin nxënësit e klasave 1-5-9 dhe realizohet nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Nagip Rexhepi”.

Siç njofton kumtesa komunale, projektit i ka dhënë përkrahje Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS), si trupë profesionale në këtë fushë. Kryesuesi Jashar Jashari ka thënë kontrolli sistematik në shkolla, është një projekt madhor për shëndetin e nxënësve si dhe planifikimin e politikave shëndetësore.

Jashari është shprehur i bindur se efektet e projektit janë pozitive, meqë nga viti në vit ka ulje të shkallës të disa sëmundjeve.

Ai e ka mirëpritur idenë për themelimin e një baze të të dhënave me gjetjet në terren, sepse do të lehtësonte procedurat e përcjelljes së një sëmundje ose anomalie tjetër tek këta pacientë si dhe gjendjes së tyre gjatë trajtimit të mëtejmë.  

Hollësitë tjera për kontrollin sistematik të nxënësve, ka dhënë Fejzullah Berisha, drejtor i QKMF “Nagip Rexhepi”, i cili ka thënë se projekti fillon sot, në shkollën e qytetit “Musa Zajmi” dhe do të vazhdojë gjatë muajve të ardhshëm në të gjitha shkollat tjera të qytetit dhe fshatrave, ku përfshihen klasat 1-5-9.

Ai ka thënë se përgatitjet janë bërë me kohë, janë siguruar mjetet e nevojshme, duke nënvizuar edhe bashkëpunimin e mirë me shkollat dhe prindërit, që janë një element i rëndësishëm për mbarëvajtjen e projektit. 

Objektiva të këtij projekti janë identifikimi i sëmundjeve dhe anomalive eventuale, duke i udhëzuar rastet e identifikuara për trajtim te mëtutjeshëm si dhe përgatitja e rekomandimeve për institucionet shëndetësore, të cilat kanë për obligim përmirësimin e politikave shëndetësore, ka thënë Berisha.

Nexhat Halili, anëtar i KSHMS, njëherësh mjek i ekipit për kontrollin sistematik të nxënësve, ka thënë se projekti nis në shkollën “Musa Zajmi”, ku do të vizitohen 220 nxënës dhe në shkollën “Abaz Ajeti” që ka 350 nxënës, për të vazhduar në shkollat tjera.

Sa i përket shifrave të pediklulozës, nga kontrollimi i kaluar, e cila ka marrë më shumë jehonë në publik, edhe pse nuk ka qenë në përmasa alarmuese, ai ka nënvizuar faktin se pedikuloza ka pasur rënie të madhe nga viti në vit.                

Për të përmirësuar edhe më shumë gjendjen, Selvete Shurdhani ka sugjeruar organizimin e këshillimeve dhe ligjëratave me prindër, ku do të diskutohej për higjienën rëndësinë e saj në shëndetin e fëmijëve.

Sipas Fejzullah Berishës, në QKMF ekziston grupi i infermierëve për edukimin e komunitetit, i cili mban ligjërata në shkolla, lagje e fshatra dhe me siguri se e trajton edhe këtë problem.

Agron Leka ka thënë se kontrollimi sistematik i nxënësve i ka anët e veta pozitive, sepse mundëson zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe anomalive tjera tek fëmijët dhe krijon mundësi për trajtimin me kohë të të gjitha çrregullimeve të gjetura shëndetësore.

Po ashtu krijohet mundësia për krijimin e dosjes së pacientit, e cila e lehtëson punën e mjekëve në fazat tjera të trajtimit të rasteve, ka thënë Leka. Por, sipas tij, kjo do të funksiononte më mirë sikur të sigurohet lidhja e intranetit, sepse do të ndihmonte shumë mjekët të kenë qasje në dokumentacionin e pacientit./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat