Haziri shtron iftar, premton gjetjen e lokacionit për objekt të Bashkësisë Islame në Gjilan

Gjilani

Haziri shtron iftar, premton gjetjen e lokacionit për objekt të Bashkësisë Islame në Gjilan

Më: 28 maj 2018 Në ora: 00:12
Lutfi Haziri, ka shtruar iftar me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka shtruar iftar me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ku ka mbledhur përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të nivelit lokal dhe përfaqësuesve të shumtë në nivelin qendror.

Të pranishëm në këtë iftar të përbashkët ishin deputetë, përfaqësuesit e qeverisë, nga Kuvendi Komunal, kryesia e Bashkësisë Islame të Gjilanit e kryesuar nga Naim Aliu, përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ilmi Krasniqi, nga Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, Gjykatës, Prokurorisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, KFOR-i Turk, drejtori i OSBE-së, përfaqësues të Universitetit, Spitalit Regjional, përfaqësuesit e partive politike etj.

Siç njofton zyra për media e Komunës së Gjilanit, ka thënë se ky është muaj i solidaritetit, i paqes, i përkujtimit dhe lutjes për të gjithë ata që nuk janë në mesin tonë dhe atyre që janë në vështirësi të jetës, duke dëshiruar që agjërimi të jetë i lehtë për të gjithë agjëruesit.

“Uroj agjërim të lehtë për të gjithë gjatë gjithë muajit të Ramazanit, me besim të madh që ky muaj e përmbush edhe misionin dhe qëllimin që e ka, jo vetëm të përkujtimit si muaj i madh i ardhjes së Kur’anit për njerëzit e kësaj bote, por edhe muaj i solidaritetit dhe i ndarjes së të mirave në sofrën tonë, për të gjitha familjet kudo që janë. Për ata që janë ndarë nga kjo botë, lutemi bashkërisht që Zoti i plotfuqishëm t’i shpërblej dhe mbroj më të dashurit tanë. Mision i kësaj jete është të lëmë një fjalë të mirë, vepër të mirë dhe një qëllim të mirë”, ka thënë kryetari Haziri.

Haziri ka thënë se Komuna e Gjilanit me angazhim të përbashkët të institucioneve të shumta është duke punuar edhe në mekanizmin e Preventivës kundër çdo lloj radikalizmi dhe ekstremizmi, siç ka thënë “për t’u përkujdesur për qytetarët e Gjilanit që të mos përfshihen në rrugë të cilat janë të dëmshme për shoqëri”.

“Ka qenë ky organizim i përbashkët i bashkësive fetare e në veçanti i Bashkësisë Islame që e falënderojmë për angazhim konkret në trajtim të rasteve”, ka thënë ai.

Haziri ka dhënë edhe lajmin tjetër që për këtë vit si pjesë e planit të punës është edhe gjetja e lokacionit për ndërtimin e objektit për institucionin e Bashkësisë Islame.

“Është angazhim i përbashkët për ndërtimin e infrastrukturës për të gjitha besimet fetare dhe këtë vit do të punohet konkretisht në gjetjen e lokacionit për ndërtimin e objektit të Bashkësisë Islame në Gjilan, e cila do të ketë më të lehtë punën dhe shërbimin për qytetarët”, ka përfunduar ai.

Në këtë takim ka folur edhe kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat