Vitia shënoi 14 Qershorin - Ditën e Çlirimit - Bota Sot
Vitia shënoi 14 Qershorin - Ditën e Çlirimit

Gjilani

E enjte, 20 shtator 2018

Vitia shënoi 14 Qershorin - Ditën e Çlirimit

Nga: Aziz Zuka Më: 14 qershor 2018 Në ora: 16:24
Disa foto nga aktivitetet e zhvilluara me rastin e 14 qershorit Ditës së Çlirimit të Vitisë

Me  një sërë aktivitetesh të organizuara për nder të 14 Qershorit, është shënuar  Dita e Çlirimit e aktivitetet kanë filluar me një seancë solemne nga Kuvendi Komunal i Vitisë.  Më pas janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora lulesh pranë varrezave të dëshmorëve në Viti. Gjithashtu u mbajt edhe një konferencë me temën “ Roli i gruas në shtet ndërtim” në të cilën ka marrë pjesë me një fjalë rasti edhe znj. Atifete Jahjaga, ish presidente e Republikës së Kosovës. Kjo ditë është shënuar sot në Viti, edhe me aktivitete të tjera si me një ekspozitë të artit pamor, koncert festiv, çiklizëm por edhe me volejboll. Ndërkaq aktivitetet për të rinjtë vitias, në ditën e çlirimit do të vazhdojnë edhe në mbrëmje me një koncert të muzikës së lehtë, para shtëpisë së Kulturës “ Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti me fillim në ora 20:00.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira në seancën solemne ka mbajtur një fjalë rasti për nder të ditës së çlirimit. “ Pa dyshim se kjo ditë do të mbetet ditë Lavdije e feste që do të kremtohet për vite e shekuj në të ardhmen, e themi këtë sepse pikërisht me 14 qershor të vitit 1999 përpjekjet intelektuale bashkë me ato ushtarake të përkrahura fuqishëm nga miqtë tonë euro atlantik u kurorëzuan me çlirimin dhe largimin definitiv të trupave ushtarake e paramilitare serbe në Kosovë”, u shpreh kryesuesi Pira.

Kurse Sokol Haliti, Kryetar i Komunës së Vitisë, ndër tjerësh tha se në këtë ditë të rëndësishëm ne kemi obligime para nesh. “ 14 Qershori i vitit 1999 ishte dita kur qytetarët e komunës së Vitisë përfundimisht frymuan lirshëm, nga dhuna dhe agresioni i pushtuesit serb , kjo ishte dita kur qytetarët e komunës sonë pas përpjekjeve gati shekullore e realizuan aspiratën e vet nacionale për liri dhe demokraci”, theksoi ndër tjerash kryetari Haliti. Ai shtoj se në këtë ditë duhet të kujtohet e kaluara, historia duke potencuar se me këtë ja kujtojmë vetës obligimet që kemi ndaj vendit.

Ndërkaq Qemajl Rexhepi, përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, dega në Viti pos që foli mbi luftën e UÇK-së dhe përkrahjen e miqve ndërkombëtar për liri ju uroj të gjithë qytetarëve 19 vjetorin e çlirimit të Vitisë.

Image

Kurse gjatë konferencës me temën “ Roli i gruas në shtet ndërtim” znj. Atifete Jahjaga, ish presidente e Republikës së Kosovës u paraqit me një fjalë rasti ku foli në veçanti mbi kontributin e gruas në shtet ndërtim. “ Me suksesin e grave dhe vajzave në shkencë, sport, artë e kulturë, ato po na bëjnë krenar dhe po dëshmojnë se Kosova pavarësisht izolimit të saj e ka vendin e saj në Evropë dhe në botë. Xhudistja Kosovare, Majlinda Kelmendi i soli Kosovës së lirë dhe të pavarur medaljen e parë të artë nga lojërat olimpike të Rios dhe sukseset e saj nuk kanë të ndalur”, u shpreh znj. Jahjaga. Ajo përmendi edhe gratë e tjera të suksesshëm të cilat po e bëjnë krenarë shtetin e Kosovës si: Era Istrefi, Dua Lipa dhe Rita Ora.

Përndryshe 14 Qershori-Dita e Çlirimit të Vitisë është shënuar me aktivitete të ndryshme kulturore e sportive në Viti, kurse aktivitet për nder të kësaj dite do të përfundojnë në mbrëmje pas koncertin të muzikës së lehtë që do të mbahet para shtëpisë së Kulturës “ Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti me fillim në ora 20:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test