Komuna do të shpallë “Qytetare Nderi” ish deputeten e Parlamentit Evropian, Doris Pack

Gjilani

Komuna do të shpallë “Qytetare Nderi” ish deputeten e Parlamentit Evropian, Doris Pack

Nga: Aziz Zuka Më: 19 qershor 2018 Në ora: 15:45
Pamje nga takimi i sotëm i KPF-së në Viti

Ndër pikat e rendit të ditës për mbledhjen e pestë të Komitetit për Politikë e Financa, ishte edhe propozim vendimi për shpalljen „Qytetare Nderi“ të ish deputetes së Parlamentit evropian Doris Pack. Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka paraqitur para anëtareve të këtij komiteti kontributin e znj. Pack në mbështetje të kërkesave dhe ndihmesës në shtetësinë e Kosovës dhe në shenjë të këtij kontributi, të nderohet me titullin e qytetares nderi të Vitisë.

Ndonëse ky propozim vendim i kryetarit Haliti u miratua në parim nga anëtarët e Komitetit për Politikë e Financa, megjithatë u kërkua që për seancën e Kuvendit të përgatitet dhe ti prezantohet këshilltarëve biografia dhe arsyeshmëria për qëllimin e shpalljes qytetare nderi të ish eurodeputetes Pack. Në këtë mbledhje u diskutua edhe për propozim vendimin për shqyrtimin dhe miratimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) 2019-2021, për çka anëtarët e KPF-së nga radhët e opozitës nuk e votuan për procedim në seancën e Kuvendit dhe nuk u kalua, për çka u vendos të bëhen përmirësime dhe të thirret një mbledhje e KPF-së për të premten, me të vetmen pikë të rendit të ditës.

Gjithashtu, u diskutua dhe u miratua për procedim në seancën e radhës propozim vendimi për transferin, (rialokimin) e mjeteve buxhetore në mes programeve-nën programeve buxhetore në kategorinë ekonomike të pagave e mëditjeve, propozim vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e njësisë – shtëpisë për Integrim në Bashkësi në Komunën e Vitisë, si dhe u dha një informatë, mbi punën e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për periudhën Janar-Qershor 2018. Për seancën e Kuvendit Komunal që do të mbahet të mërkurën, u propozua që të hyjë në rend dite edhe një Informatë rreth kyçjes në Autostradën Prishtinë-Shkup, të qytetarëve të komunës së Vitisë në Gërlicë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat