Lutfi Haziri për 24 orë nuk do të jetë kryetar i Gjilanit

Gjilani

Lutfi Haziri për 24 orë nuk do të jetë kryetar i Gjilanit

Më: 6 korrik 2018 Në ora: 11:01
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dorëzuar sot pozitën Rega Aliut, e cila do ta ushtrojë këtë detyrë për 24 orë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dorëzuar sot pozitën Rega Aliut, e cila do ta ushtrojë këtë detyrë për 24 orë.

Ajo këtë post do ta mbajë  së bashku me stafin e zgjedhur, Olti Suliqi, kryesues i Kuvendit te Komunës, Ledi Sylejmani, nënkryetar, Kanina Mehmeti zëvendëskryesuese dhe Rona Aliu, shefe e kabinetit, si simbolikë e respektimit të të drejtave të fëmijëve.

“Është traditë e punës në zyrën ku unë kam ushtruar detyrën. Për sot është zgjedhur Rega që ta ushtroj detyrën e kryetares se Gjilanit. Uroj që sot të keni një ditë të lehtë të punës, por jashtëzakonisht të ngjeshur me aktivitete. Mësimi, përkushtimi për punë dhe familje është obligim për të gjithë ata që duan të jenë të suksesshëm edhe në jetë. Një ditë me të vërtet dikush nga ju mund të jetë kryetar i Gjilanit, dikush mjek e të tjerët edhe në profesione të ndryshme. Kudo që të jeni tregojeni veten me përkushtim, me mature dhe punë të vazhdueshme”, tha kryetari Haziri në ceremoninë dorëzimit të detyrës së kryetarit.

“Besoj që kjo simbolikë e ushtrimit të detyrës, i përgatitë qytetarët tanë për sensibilizimin e të drejtave të fëmijëve për shkollë, për jetë të barabartë dhe përfaqësim sa më dinjitoz. Fëmijët janë gjithçka për ne, mbi të gjitha ne duhet të investojmë në kujdes, edukim dhe në punësimin e tyre në të ardhmen”, tha Haziri.

Kurse, Rega Aliu, e ka falënderuar kryetarin Haziri për respektin dhe përkushtimin që ka për fëmijët e Gjilanit dhe hapësirën e mbështetjen që e jep për ta.

Në kuadër të kësaj simbolike, kryetarja e Komunës për 24 orë ka nxjerrë vendim të rëndësishëm për mbështetjen të matematicientëve të Gjilanit për pjesëmarrje në olimpiadën ndërkombëtare që mbahet në Rumani.

Ndërkohë, gjatë ditës, kryetarja dhe ekipi i saj do t’i takojë fëmijët e çerdhes në lagjen “Dardania”, do të vizitojnë Drejtorinë Komunale të Arsimit, do të mbajnë debat në ora 13:20 (tek Biblioteka e Qytetit), për të përfunduar angazhimin e ditës me mbledhjen e Kuvendit, në ora 15:00, në sallën e Kuvendit Komunal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat